Një 48-vjeçar është arrestuar në Kurbin në kuadër të një operacioni policor kundër veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Operacioni i koduar “Veprimtaria” u finalizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë Saimir Keqi, 48 vjeç, banues në Kurbin.
Sipas Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij në fshatin Fushë-Kuqe u gjetën dhe u sekuestruan 776 gramë lëndë e dyshuar narkotike heroinë, si dhe një peshore elektronike.
Po ashtu, në oborrin e banesës u konstatuan të kultivuara 144 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Bimët u asgjësuan me anë të djegies, ndërsa një pjesë e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. / abcnews.al /



