Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Lugina e Errët”, në kuadër të luftës kundër vjedhjes së pronës dhe armëmbajtjes pa leje.
Si rezultat i operacionit, u arrestua në flagrancë një 53-vjeçar nga Durrësi, i cili dyshohet se po përgatitej të hynte për të vjedhur në një banesë në zonën e Farkës. Sipas Policisë, ai u lokalizua dhe u kap në momentin kur po tentonte të kryente vjedhjen.
Gjatë kontrollit, efektivët sekuestruan një armë zjarri pistoletë me një krehër me municion, dy kaçavida, një palë pinca, dy kapele, një maskë të zezë, një palë doreza si dhe një shumë parash.
Nga hetimet paraprake ka rezultuar se 53-vjeçari dyshohet të jetë i përfshirë edhe në dy raste të tjera vjedhjesh dhe tentativash për vjedhje banesash në zonën e Farkës. Sipas Policisë, më 31 maj 2026 ai dyshohet se ka vjedhur një shumë parash në një banesë, ndërsa më 5 qershor 2026 ka tentuar të vjedhë në një tjetër banesë në të njëjtën zonë.



