12 qershori i 1999 hyri në histori si dita e parë e paqes në Kosovë.
Urimi i parë ka ardhur nga Ambsada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë që ka rikujtuar 27 vjetorin e çlirimit.
Përmes një postimi në Facebook, ambasada ka theksuar rolin e NATO-s në vendosjen e paqes dhe stabilitetit në vend.
“Njëzet e shtatë vjet më parë sot, forcat e NATO-s hynë në Kosovë, duke ndihmuar në hapjen e rrugës për paqe dhe stabilitet. Ne nderojmë qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës dhe riafirmojmë përkushtimin tonë të përbashkët për paqe, stabilitet dhe prosperitet”, thuhet në postimin e ambasadës.
Kjo ditë është pritur me homazhe në memorialin e Prekazit, ndërsa nga aty përfaqësues politikë kanë dhënë mesazhet e tyre në nderim të të rënëve për liri me në krye komandantin legjendar Adem Jashari.
“Sot më 12 qershor në Ditën e Çlirimit jemi në Prekaz, në vendin ku filloi gjithçka. Nuk ka 12 qershor pa marsin e vitit 1998. Nuk ka 12 qershor pa qëndresën e komandantit Adem Jashari, Hamzës, Shabanit dhe të mbi 50 anëtarëve të familjes Jashari të cilën ranë dhe nuk u dorëzuan asnjëherë. Ata nuk mbrojtën vetëm pragun e shtëpisë, ata mbrojtën tokën e të parëve tanë që ishte, është dhe do të jetë përherë e shqiptarëve. Ata mbrojtën idenë që populli ynë nuk mposhtet asnjëherë. Sakrifica e tyre u bë themeli mbi të cilin qëndroi Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Republika jonë e lire”, u shpreh Albulena Haxhiu.
Edhe presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, ka uruar Kosovën me rastin e 27-vjetorit të çlirimit.
Përmes një postimi në Facebook, Begaj ka vlerësuar se liria e Kosovës është arritur falë sakrificës së mijëra burrave dhe grave, luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe mbështetjes së aleatëve ndërkombëtarë, në veçanti NATO-s.
Në këtë ditë Aleanca ka paralajmëruar zvogëlimin e numrit të ushtarëve në Kosovë, duke argumentuar se situata e sigurisë në vend po përmirësohet vazhdimisht.
Vendimi për reduktimin e trupave të KFOR-it vjen pas një shqyrtimi të plotë dhe një vlerësimi të bazuar në inteligjencë të situatës së sigurisë.
27 vjet më parë, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas bombardimeve kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi.
Sulmet mbi infrastrukturën serbe nisën më 24 mars, dhe zgjatën deri më 10 qershor 1999. Gjatë fushatës 78-ditore, aeroplanët nga 13 shtete anëtare të NATO-s i bënë 38 mijë e 400 fluturime, nga të cilat në 10 mijë e 484 fluturime u bënë bombardime.
Fushata e bombardimeve ajrore ndaj Jugosllavisë u bë për ndaljen e fushatës serbe për spastrim etnik të shqiptarëve në Kosovë.



