Është periudhë vere, madje është fillimi. Ndodh që ndryshon fati i karrierës së shumë lojtarëve, e mes tyre edhe i atyre të kombëtares së Shqipërisë, apo shqiptarëve në përgjithësi.
Njëri nga emrat e lakuar të momentit është Julian Shehu, mesfushori kuqezi, i cili u paraqit shumë mirë sezonin e kaluar në Superligën e Polonisë.
Për të, sipas mediave që merren me transferimet, dhe të cilave u referohen edhe mediat në Greqi, ka interesim nga Olimpiakos.
Mediat greke shtojnë se për momentin nga gjigandi I Athinës nuk ka ofertë konkrete tek Vidzevi i Lodzit, klubi që ka kartonin e shqiptarit, ndërsa nuk harrohet të theksohet se gjatë dimrit edicioni polak I portalit “gol.com” shkruajti se Shehu ishte në vëmendje të Valencias në Spanjë dhe e klubeve nga Arabia Saudite.
Mesfushori ynë ka kontratë me Vidzevin deri në 30 qershor 2028, pra klubi polak është në pozita të forta e mund të kërkonte 3.5 milionë euro apo më shumë për ta lejuar që të largohet.
Edicionin e kaluar, ai pati 4 gola e 5 asistë në 31 ndeshjen në Superligën polake, statistika shumë të mira sidomos duke pasur parasysh se është mesfushor me rol mbrojtës.
Fanelën kuqezi e ka veshur 11 herë pasi u thirr nga trajneri Silvinjo.



