Kur publiku sheh koncertet e mbushura, makinat luksoze, udhëtimet dhe suksesin e artistëve të njohur, rrallëherë mendon për njerëzit që punojnë pas skene për ta bërë të mundur gjithë atë shkëlqim. Njëri prej tyre është Xhani Demika, menaxheri i njohur i artistëve, i cili ka vendosur të tregojë anën më pak të dukshme të botës së showbiz-it.
Sipas tij, jeta e një menaxheri është shumë larg asaj që imagjinojnë njerëzit. “Publiku sheh vetëm suksesin, koncertet dhe luksin, por nuk e di si është realisht jeta pas menaxhimit të VIP-ave. Është shumë më e lodhshme sesa duket. Ka stres, përgjegjësi, negociata dhe shumë sakrifica”, shprehet ai.
Demika tregon se një artist ka nevojë për dikë që ta mbajë të fokusuar dhe të menaxhojë çdo detaj që publiku nuk e sheh.
“Çdo artist ka karakterin e vet. Disa janë shumë të thjeshtë, disa më impulsivë. Menaxheri duhet të dijë të komunikojë, të ruajë ekuilibrin dhe të mos përfshihet emocionalisht në çdo situatë.”
Ai pranon se me kalimin e viteve raportet profesionale shpesh kthehen në lidhje shumë më të forta. “Në shumë raste bëhesh si familje, sepse kalon më shumë kohë me artistin sesa me njerëzit e tu. Miqësia reale krijohet vetëm pas shumë vitesh, përndryshe mbetet thjesht marrëdhënie pune.”
Por jo gjithçka ka qenë e lehtë. Ka pasur momente kur ka menduar të largohet nga kjo botë. “Ka pasur momente kur kam menduar të heq dorë, sepse është një profesion që të konsumon emocionalisht. Ka net pa gjumë, tension dhe shumë presion. Por kur sheh suksesin e artistit, ndihesh krenar.” Duke folur për realitetin e showbiz-it shqiptar, ai pranon se konkurrenca është bërë më e fortë se kurrë.
“Sot është më e vështirë se më parë, sepse gjithçka lëviz shumë shpejt. Rrjetet sociale e kanë ndryshuar lojën. Një artist duhet të jetë prezent çdo ditë dhe publiku kërkon gjithmonë diçka të re.”
Sipas tij, imazhi është bërë po aq i rëndësishëm sa talenti.
“Një postim mund të të ngrejë ose të të krijojë probleme brenda pak minutash.”
Sa i përket rivaliteteve mes VIP-ave shqiptarë, Demika mendon se një pjesë e tyre janë reale, por shumë raste ekzagjerohen për efekt mediatik.
“Showbiz-i ka konkurrencë dhe ego, por ndonjëherë gjërat zmadhohen. Ka raste kur postimet bëhen edhe për vëmendje mediatike dhe jo sepse situata është vërtet aq e rëndë sa duket.”
Larg kamerave dhe zhurmës së ekranit, Xhani Demika tregon se është krejt ndryshe nga imazhi që njerëzit mund të kenë krijuar për të.
“Jam shumë më i qetë sesa më njohin publikisht. Më pëlqen koha me familjen dhe miqtë e afërt. Pas gjithë zhurmës së showbiz-it, njeriu ka nevojë për qetësi.”
Megjithatë, ai nuk fsheh zhgënjimet që ka përjetuar gjatë rrugëtimit të tij profesional.
“Ndonjëherë zhgënjehesh nga njerëz që i ke ndihmuar shumë. Në këtë profesion të lodh hipokrizia dhe mungesa e besnikërisë. Jo gjithmonë njerëzit janë ashtu siç duken.”
Pavarësisht sfidave, pasioni për muzikën mbetet forca që e mban të lidhur me këtë botë. “Më jep motiv kënaqësia kur sheh dikë të rritet profesionalisht edhe falë punës tënde.”
Në fund, ai ka edhe një mesazh për të rinjtë që ëndërrojnë famën e shpejtë. “Fama vjen dhe ikën shumë shpejt. Duhet punë, disiplinë dhe karakter i fortë për të mbijetuar në këtë botë.”/abcnews.al



