Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur projektin e debatuar të Zvërnecit gjatë një konference me gazetarët e BE-së, duke iu përgjigjur kështu edhe protestave të fundit.
Kreu i qeverisë sqaroi se asgjë nuk do të bëhet pa u kryer më parë studimi i mjedisit, ndërsa theksoi se nuk do të lejojë që ky projekt të “vritet” që në gjenezë. Rama i ftoi gazetarët shohin gjendjen reale të pyllit të Zvërnecit, duke shtuar se nëse projekti nuk përmbush ambiciet e kërkuara, investitorëve do t’u kërkohet përmirësimi i tij.
“Ne u kemi vënë shumë piketa për atë se çfarë presim, do të kryhet studimi për mjedisin, më pas do të presim projektin. Synimi është që të vrasin një projekt që sapo ka lindur dhe unë këtë nuk do ta lejoj. Nëse projekti nuk përmbush të gjitha ambiciet tona, atëherë do t’u themi që ta përmirësojnë. Shkoni dhe shikojeni me sytë tuaj se sa probleme të mëdha ka në atë pyll sa i takon mirëmbajtjes dhe pastrimit”, tha Rama.


