Qytetarët e Kosovës i drejtohen këtë të diel, më 7 qershor, qendrave të votimit për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës, në procesin e tretë zgjedhor parlamentar të organizuar brenda vetëm 16 muajsh.
Pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe atyre të parakohshme të 28 dhjetorit 2025, vendi po zhvillon sërish zgjedhje parlamentare, të shkaktuara nga dështimi i forcave politike për të siguruar konsensusin e nevojshëm për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.
Analisti Adri Nurellari ka vlerësuar se zgjedhjet e fundit kanë shënuar një rritje të pjesëmarrjes së diasporës, ndërsa pjesëmarrja e përgjithshme e votuesve ka qenë më e ulët krahasuar me proceset e mëparshme zgjedhore.
Sipas Nurellarit, vota e diasporës është rritur me rreth 30 mijë votues më shumë krahasuar me zgjedhjet e zhvilluara në dhjetor dhe shkurt.
“Pati një rritje të votës së diasporës krahasuar me dhjetorin dhe shkurtin, janë 30 mijë më shumë. Shohim një pjesëmarrje më të ulët; të dhënat e orës tre thonë se janë 8 për qind më pak se në zgjedhjet e fundit. Kjo është e natyrshme pas tre ciklesh zgjedhore, lodhja elektorale është e mundshme. Ka një rënie dhe kjo është e kuptueshme. Për serbët e veriut, ata kanë qenë të kontrolluar dhe të shantazhuar nga strukturat paralele. Në të kaluarën, kushdo që ka tentuar të kandidojë pa miratimin e Beogradit, është kërcënuar.”


