Pak orë pas ngjarjes së rëndë në Lozhan të Korçës, ku humbi jetën një efektiv policie dhe u plagos rëndë një tjetër, drejtori i policisë Skënder Hita ka dalë në një komunikatë për mediat.
Bazuar në pyetjet e gazetarëve, Hita tha se në operacion ishin të angazhuar 40 forca policie të pajisur me antiplumb, por arma kallashnikov ka depërtuar tejpërtej mbrojtjes. Ai theksoi se të gjithë personat në kërkim do të përballen me të njëjtën përgjigje nga Policia e Shtetit, pavarësisht vështirësive që paraqet terreni ku mund të strehohen. Ai shtoi se po ndiqen procedurat përkatëse që familjarët e efektivit të rënë në detyrë të përfitojnë statusin e dëshmorit.
“Në momentin e zhvillimit të operacionit nuk kam pasur dijeni. Masat janë marrë nga Drejtoria e Policisë Korçë. Nëse do të ishte kërkuar shqyrtimi i gjithë operacioneve, patjetër që do të ishin marrë masa më të forta.
Punonjësit e policisë të gjithë janë të trajnuar dhe të shkolluar, dhe në këtë rast kanë qenë shërbimet më të specializuara, Shqiponjat dhe shërbimet mbështetëse. Në gjykimin e DVP Korçë, këto kanë qenë strukturat që do të kryenin këtë operacion.
Kanë qenë 40 forca policie, kanë qenë me jelek antiplumb, por arma kallashnikov ka çarë tejpërtej edhe antiplumbin. Të gjithë personat në kërkim, edhe pse autori strehohej në një zonë të thellë, do të marrin të njëjtën përgjigje.
Ka nisur hetimi disiplinor dhe hetimi i Prokurorisë, e do të vendosim më pas për masa ndaj drejtuesve. Është bërë instruktazhi më parë, pasi ky është procedim.
Kjo është humbje për familjet e tyre, por edhe për ne. Duhet të gjejmë forcën për të përballuar këto situata. Për familjarët e dëshmorëve po bëjmë procedurat që të përfitojnë statusin e dëshmorit.” / abcnews.al /


