Kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka dhënë detaje mbi ngjarjen e rëndë ku një efektiv policie u vra dhe një tjetër u plagos gjatë operacionit për kapjen e një të kërkuari në Maliq.
Ai theksoi se autori fshihej në një stan në fshatin Lozhan, ndërsa nuk i është bindur thirrjes së policisë për dorëzim por ka hapur zjarr duke i marrë jetën efektivit Enea Mekolli.
Policia tha Hita i është kundërpërgjigjur me zjarr autorit, i cili ka mbetur i plagosur dhe më pas është arrestuar nga Policia.
“Rreth orës 07:30, shërbimet e Policisë kanë rrethuar stanin ku dyshohej se fshihej shtetasi në kërkim, konkretisht Violand Braçellari, 43 vjeç, i dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burgim nga Gjykata e Korçës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa në vitin 2011, i është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje të kërkuarit, të dilte dhe të dorëzohej, por ai nuk i është bindur thirrjes së Policisë, dhe ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë. Si pasojë ka humbur jetën punonjësi i Policisë, Inspektor Enea Mekolli, 34 vjeç, dhe ka mbetur i plagosur, punonjësi i Policisë, Inspektor Edison Adri, 36 vjeç, të dy punonjës të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Korçë.
Për të neutralizuar sulmin e të kërkuarit, shërbimet e Policisë i janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i plagosur edhe i kërkuari, shtetasi Violand Braçellari, i cili më pas është arrestuar.”, tha Skënder Hita.


