Gratë nga mosha 35 deri në 55 vjeçe mund të testohen për virusin që shkakton kancerin e qafës së mitrës dhe të kryejnë pap test –in pa pagesë në dy maternitetet në Tiranë. Me fillimin e qershorit autoritetet shëndetësore kanë nisur një fushatë depistimi që do të zgjasë deri në muajin gusht.
“Konsiston në vlerësimin e infeksioneve specifike që mund të rezultojnë më tej që shkaktojnë sëmundje neoplazike tek femrat. Konkretisht është një program për depistimin e pozitivitetit për HPV një virus I konfirmuar që është në korelacion me shkakësinë e kancerit të qafës së mitrës. Përfitojnë të gjitha femrat e moshës 35- 55 vjeçe të cilat në mënyrë vullnetare ose për indikacione mjekësore kanë të nevojshme ose kanë dëshirë të vlerësojnë situatën.” u shpreh mjeku Hoxhallari.
Testimi sipas mjekëve ofron mundësinë e zbulimit të qelizave prekanceroze para zhvillimit të sëmundjes.
“I trajtojmë në kohë dhe trajtimi është më i mirë dhe me pasoja inkzistente” shtoi ai.
Kanceri i qafës së mitrës sipas mjekëve në fazë të avancuar ka vdekshmëri të lartë. Shqipëria është një ndër shtetet me incidencë të ulët të këtij tumori. Ndërkohë programet depistuese aplikohen dhe në sistemin parësor ku nëse një paciente rezulton me risk të lartë ajo referohen për konsultë më të specializuar.


