Analizat e para të ushqimeve dhe ujit të përdorur në Kopshtin 17 të Korçës nuk kanë konstatuar ndotje bakteriale, disa ditë pas rastit të dyshuar të helmimit ku rreth 20 fëmijë shfaqën simptoma dhe 6 prej tyre morën trajtim në Pediatrinë e Korçës.
Mostrat janë marrë nga Drejtoria e Shëndetit Publik, e cila ka kryer analizat bakteriologjike të ushqimeve dhe ujit në institucion. Sipas rezultateve të deritanishme, nuk është evidentuar prani bakteriale.
Ndërkohë, edhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka marrë mostra nga ushqimet e përgatitura më 3 tetor dhe i ka dërguar për analiza në ISUV. Përgjigjja e këtyre analizave pritet të ndihmojë në përcaktimin nëse ushqimi i konsumuar në kopsht ka qenë shkak i problemeve shëndetësore të fëmijëve.
Kontrollet higjieno-sanitare të kryera në institucion nuk kanë evidentuar problematika. Sipas Drejtorisë së Shëndetit Publik, kushtet e kopshtit janë konstatuar brenda standardeve.
Fëmijët janë rikthyer në mënyrë normale në kopsht në fillim të kësaj jave, megjithatë prindërit vijojnë të shprehin shqetësimin e tyre dhe kërkojnë verifikime të plota për ushqimin, ujin dhe kushtet higjieno-sanitare të institucionit.
Në lidhje me ngjarjen, Policia e Korçës ka nisur procedim penal për shpërdorim detyre ndaj drejtoreshës së kopshtit dhe mjekes pediatre.
Sipas policisë, mjekja pediatre nuk ka njoftuar autoritetet për rastet e paraqitura në spital, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes dhe shkakun që solli problemet shëndetësore te fëmijët.
Në pritje të rezultateve përfundimtare të analizave, Kopshti 17 vijon aktivitetin normal, ndërsa institucionet përgjegjëse deklarojnë se situata po monitorohet


