TIRANË– Protesta para Kryeministrisë vijon prej tre ditësh, ndërsa debatet mbi organizimin dhe objektivat e saj mbeten të shumta.
I ftuar në emisionin “Real Story”, Klementin Mile analizoi zhvillimet e fundit, duke theksuar se situata mes protestuesve dhe qeverisë ka hyrë në një fazë të re.
Sipas tij, “loja është hapur dhe është ndezur” mes protestuesve dhe qeverisë, duke iu referuar edhe videove virale të publikuara së fundmi në Zvërnec.
Mile vlerësoi se në shesh ka një numër të konsiderueshëm qytetarësh dhe energji të madhe, por protestës shtoi ai i mungon drejtimi.
“Jemi në një fazë, ku loja është hapur, loja është ndezur, tani çështja është…kur them loja, është ajo që ndodh mes protestuesve nga njëra anë dhe qeverisë nga ana tjetër, loja është hapur me ato videot virale në Zvërnec.
Në shesh janë një numër i konsiderueshëm, energji dhe njerëzish, kauza të ndryshme, sepse çfarë i bashkon është vetëm sheshi. Kemi një fragmentim narrativ të protestës. Secili ka parullat e veta, ka arsyet dhe narrativat e veta.
Politika rrezikon të shkatërrojë protestën. Jemi në kushte kur energji ka shumë, por nuk ka drejtim. Nuk po them se domosdo duhet të dalë një lider nga protesta, por duhet të unifikojnë mesazhin”, tha ai.


