Në fjalën e mbajtur gjatë aktivitetit për 35-vjetorin e Partisë Socialiste të Tiranës, kryeministri Edi Rama tha se fokusi i PS-së mbetet e ardhmja e vendit dhe ndërtimi i një Shqipërie më të mirë për brezat e rinj.
“Sot ne jemi këtu në 35-vjetorin e PS-së së Tiranës, pikërisht sepse nuk jemi si ata të tjerët. Nuk jemi duke kërkuar lirimin e të burgosurit Erion Veliaj, sepse kjo nuk është çështja jonë. Sado e padrejtë të na duket ne, jemi këtu për t’i lënë fëmijëve tanë një Shqipëri tjetër”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë solli në vëmendje edhe shembullin e ish-kryeministrit Fatos Nano, duke vlerësuar qasjen e tij pas daljes nga burgu.
Sipas Ramës, Nano zgjodhi rrugën e pajtimit dhe të ndërtimit të institucioneve, duke shmangur përplasjet që mund të destabilizonin vendin.
“Fatos Nano doli me dorën e shtrirë ndaj burgosësit të tij dhe pa i hapur asnjëherë portat e detit të socialistëve për ta përmbytur Shqipërinë nga e para, por duke krijuar kushtet të vijmë këtu ku jemi”, tha ai.
Në përfundim të fjalës së tij, Rama theksoi se Shqipëria ndodhet përballë një zgjedhjeje të rëndësishme mes së shkuarës dhe së ardhmes.
“Sot jemi në një udhëkryq, mes së shkuarës dhe të ardhmes”, deklaroi kryeministri.


