Ethet e votimeve të treta të përgjithshme brenda 16 muajsh në Kosovë kanë nisur, por java e fundit e fushatës nuk i ka kursyer as fëmijët. Në prag të festës së tyre, gjatë një tubimi të Lëvizjes Vetëvendosje, një vajzë e mitur doli në podium me miratimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Paraqitja e saj në skenë ka ngjallur reagime të forta në rrjetet sociale dhe nga partitë politike opozitare që e kanë quajtur këtë skandal dhe shkelje të të drejtave të fëmijëve.
Analisti Dardan Krasniqi, i ftuar në emisionin “Balkan Update”, shprehu shqetësimin e tij për situatën politike dhe proceset zgjedhore në Kosovë, duke theksuar se lodhja e qytetarëve është bërë e dukshme pas pesë palë zgjedhjeve të mbajtura brenda dy viteve.
Ai kritikoi ashpër edhe përdorimin e të miturve në fushatën elektorale nga Albin Kurti, duke e cilësuar atë si një veprim të papranueshëm.
Duke folur për zgjedhjet e 7 qershorit, Krasniqi u shpreh skeptik për një rritje të pjesëmarrjes në votime, duke vlerësuar se as diaspora nuk do të tregojë të njëjtin interes si në proceset e kaluara.
Sipas Krasniqit, qytetarët këtë herë duhet të vlerësojnë me më shumë kujdes performancën e partive politike dhe të japin verdiktin e tyre përmes votës.
“Brenda dy vitesh kemi patur pesë palë zgjedhje dhe lodhja e qytetarëve është e dukshme. Kjo është shqetësuese. Dyshoj se ka qenë një skenar i mirëpërgatitur. Shfaqje e turpshme përdorimi i të miturve. Nuk besoj se ai fëmijë e ka lexuar atë deklaratë, pa kaluar përmbajtja në duart e Albin Kurtit.
Është shqetësuese në kuptimin se si po instrumentalizohet një fëmijë. Nuk pres që do ketë rritje të numrit të pjesëmarrësve. Nuk besoj se diaspora do ketë vullnetin e ngjashëm që të vijë dhe të votojë në Kosovë. Besoj se qytetarët, kësaj radhe, duhet të vlerësojnë pak më me kujdes dhe t’i japin meritën dhe ndëshkimin e merituar partive. Përgjegjësia më e madhe për gjërat shkon te partia më e madhe, e cila është në pushtet.”, tha ai./abcnews.al


