Ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja, i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, ka komentuar ngjarjet e 28 majit 1996, duke i cilësuar ato si një nga momentet më të rënda për shtetin shqiptar pas pluralizmit. Sipas tij, kriza e asaj periudhe nuk lidhej thjesht me pushtetin politik, por me rrezikimin e vetë ekzistencës së shtetit dhe funksionimit të institucioneve.
Gonxhja deklaroi se situata e krijuar çoi në një “krisje” që, sipas tij, vazhdon të mbetet ende e hapur, ndërsa kujtoi edhe tensionet dhe tentativat destabilizuese në veri dhe jug të vendit. Ai theksoi se Shqipëria u përball me një rrezik serioz, duke shtuar se ngjarjet e mëvonshme, 1997, sollën humbjen e rreth 3 mijë jetëve njerëzore.
Në fjalën e tij, ministri ngriti akuza ndaj Partisë Demokratike dhe strukturave të shërbimeve sekrete të asaj kohe, duke theksuar se humbja e kontrollit shtetëror dhe dobësimi i administratës çuan vendin drejt një krize të thellë. Sipas Gonxhes, përgjegjësitë për atë periudhë mbeten ende një çështje që duhet adresuar.
“Unë doja që të bëja një ndarje të qartë. Kemi të bëjmë me një moment, që nuk ishte vetëm çështja se kush ishte në pushtet, por kemi të bëjmë me një moment që rrezikohej vetëm ekzistenca e shtetit të shqiptar. Ishte një moment që çoi në një krisje, që është ende e hapur dhe nuk e di se si do të ngjitet.
Të mos harrojmë që është shoqëruar me disa tentative në veri dhe në jug. U vu vendi në një situatë që ishte me rrezik, nuk ishte një abort politik. Po shkonim drejt krimeve ndaj njerëzimit. Kemi humbur gati 3 mijë njerëz, një vit më pas.
Ishte vetëm çështje që PD dhe shërbimet sekrete, humbja keqësisht e shtetit në kuptimin e administratës dhe të funksionet që ato përfaqësonin. Ky është një subjekt, ky personazh mban përgjegjësi”, u shpreh ministri Gonxhja.


