Zëvendësministrja e Brendshme, Silva Caka, deklaroi se Shqipëria ka treguar se është në gjendje të përmbushë me sukses detyrimet e vendosura në kuadër të procesit të integrimit europian.
Ajo theksoi se detyrat e reja janë vijimësi e atyre që u përmbushën me piketat e ndërmjetme.
Sipas zëvendësministres, fokus i rëndësishëm mbetet forcimi i kapaciteteve të Policisë së Shtetit, si në aspektin intelektual ashtu edhe në atë strategjik. Gjithashtu, ajo nënvizoi se janë marrë masa për adresimin e emigracionit të parregullt dhe përmirësimin e logjistikës.
“Shqipëria i mori kushtet e ndërmjetme dhe u deshën 12-13 muaj për t’i dorëzuar. E kemi treguar që nëse kërkohet diçka me ngulm realizohet, angazhimi i strukturës së Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërkohë që ka përkushtim të të gjitha strukturave. Shoh një angazhim të jashtëzakonshëm të punonjësve të këtyre institucioneve dhe e shoh të realizueshëm ndoshta edhe më herët para dhjetorit të 2027.
Të gjitha detyrat që kemi marrë janë vijimësi e atyre që mbyllëm me piketat e ndërmjetme. Është vlerësuar puna e një tjetër institucioni, Agjencia e Pasurive të Konfiskuara dhe Sekuestruara, ku janë dhënë detyra të reja, janë dhënë detyra për forcimin e kapaciteteve të policisë. Duhet të forcohen kapacitetet, qoftë intelektuale apo strategjike. Të gjitha masat që janë marrë për adresimin e emigracionit të parregullt dhe na janë vendosur detyra për logjistikën.
Këto janë disa nga detyrat që i kemi marrë shumë seriozisht dhe ka nisur puna që sot.”


