TIRANË- Hapen aplikimet për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2026 dhe prezantimi i nismës për organizimin e fermerëve në Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB), si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të prodhimit vendas, formalizimit dhe rritjes së konkurrueshmërisë së sektorit bujqësor.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, në konferencë për mediat u shpreh se bashkimi dhe bashkëpunimi i fermerëve është thelbësor në këtë proces.
“Bashkëpunimi mes bashkive, fermerëve dhe ministrisë është thelbësore. Ky model funksionon, synimi ynë është që modelet e bashkëpunimit të shtrihen. Ne do mbështesim fermerët që bashkohen me bashkitë dhe angazhohen për modelet që ne po krijojmë.
U bëj thirrje fermerëve: të bashkohen me bashkitë dhe të jenë pjesë e kësaj mbështetje qe ne jemi duke krijuar, një model të ri, që ne jemi duke shkuar jo vetëm drejt BE, por edhe modeleve më të mira të tregut dhe uljen e kostove nga 25-30%”, tha ai.
Ai u shpreh se modeli i Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor është fuqizuar në 26 bashki dhe përfshihen 334 fermerët e parë.
“26 bashkitë e para janë modele bashkëpunimi ku përfshihen 334 fermerët e parë dhe po punojmë me bashkitë e tjera. Bashkë me numrin total janë 58 SHBB të përbashkëta”, pohoi ministri i Bujqësisë.
/abcnews.al


