Le ta nisim me ata që e meritojnë. Roma dhe Komo janë historia e javës së fundit të Serisë A, pasi të dyja skuadrat u kualifikuan për në Champions, duke lënë prapa gjigandët Milan e Juventus.
Kryeqytetasit e drejtuar nga trajneri shumë i aftë Xhampiero Gasperini, e mbyllën sezonin në vendin e tretë pas fitores 2-0 në Veronë. Komo, që është habia dhe ngjarja e madhe në Apenine këtë vit, doli e katërta me fitoren tepër të thellë, 4-1, në fushën e Kremonezes.
Një tjetër trajner shkëlqeu, rishtari Sesk Fabregas, që pritet të jetë një Guardiolë i ri. Gjithsesi, përtej kësaj feste, nuk mund të harrohet “vetëvrasja” e gjigandëve. Si rrallë herë në historinë e futbollit italian, Milan e Juventus, të dy bashkë, nuk do të jenë në Ligën e Kampionëve.
Për të shkulur flokët ishte “hara-kiri” I Milanit, pasi në “San Siro” ndaj Kaljarit i mjaftonte vetëm një pikë. As atë nuk e mori dot, ndonëse kaloi në epërsi që në 1’ me golin nga Selemekers.
Një ekip I lodhur dhe jo I bashkuar lejoi dy gola, nga një në çdo pjesë dhe mbylli me dështim një sezon me pretendime të mëdha. Rrezikojnë shumë trajneri Alegri, që duket edhe ai I rraskapitur, si dhe Igli Tare si drejtor sportiv.
Juventusi ia kishte prishur punën vetes që më parë, dhe as fitorja në derbi me Torinon nuk i mjaftonte, në varësi nga rezultatet e tjera. Doli varianti më I keq, dhe derbi I nisur e I mbyllur vonë për shkak të trazirave të tifozëve, përfundoi në barazim 2-2.
Nuk mjaftuan dy gola nga sulmuesi kryesor, Dushan Vlahoviç, që me siguri do të largohet pa Champions. Torino, me Ardian Ismajlin titullar në fushë, reagoi po dy herë kur realizuan Kazadei dhe Adams.
“Milan e Juve jashtë, festë për Romën e Komon, – titullon “La Gazeta delo Sport”, – Çmeritëse në Champions! Në rrezik Alegri, Furlani dhe Tare!” “Finale që të heq mendjen!, – shkruan “Il Korriere delo Sport”, – Vrasëse për gjigandët! Roma e Komo në Champions, Jashtë Milan e Juve!”
Romanët u kthyen në Ligën e Kampionëve pas 7 viteve, që nga 2019. Në Veronë, mjaftuan dy asistet e Paulo Dibalës, fillimisht duke fituar penallti, që e gaboi dhe pastaj e shënoi Malen.
Rrjeta e dytë ishte e veçantë dhe aksionin e përfundoi El Sharaui.
Po Komo?
Një qytet jo I madh, me 84 000 banorë, për herë të parë sheh ekipin në Europë, dhe madje në Champions. Kanë kaluar 40 vjet nga koha e Hansi Mylerit, dhe sot idhujt e tifozëve janë të huaj të tjerë, Niko Paz, Hezus Rodrigez, Duvikas apo Da Kunja, si dhe trajneri katalanas Fabregas. Fitorja në Kremoneze 4-1 ishte kurorëzimi i një sezoni ëndrrash./abcnews.al



