Sondazh

Kush po e provokon tensionin në Shkup:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Lufta me sklerozën multiple/ Miranda Nazarka: Sfidë e përditshme, por me forcë për të vazhduar përpara

schedule19:09 - 23 Maj, 2026

schedule 19:09 - 23 Maj, 2026

“Shpirti është luftarak, i thotë vetes do ja dalësh, do e mposhtësh këtë sëmundje”

Të jetosh dekada me një sëmundje si skleroza e shumëfishtë kërkon një forcë shumë të madhe shpirtërore dhe vullnet të rrallë.

Sëmundja e cila prek sistemin nervor, dhe bashkë më të lëndon fizikun, shikimin dhe prek emocionalisht, është një armik që Miranda Nazarka po e lufton prej 2 dekadash.



Sëmundja iu shfaq në moshën 40 vjeçare, ndërsa më herët ajo thotë se nuk kishte ndjerë asnjë shqetësim. Një gjendje parehatie, dhe një këputje trupore e dërgoi atë të mjeku.

“Shenjat e para ka qenë lodhja, nuk ecja dot. Gjithë kohës ndihesha e lodhur. Është një sëmundje shumë e keqe, që se din ça është në fillim. Pastaj duke jetuar me të, mësohesh dhe mundohesh të përshtatesh. Jeta ime thuajse ka ndryshuar 360 gradë.”

Sëmundja, sipas saj, ndikoi ndjeshëm në përditshmëri, duke e bërë të domosdoshme ndihmën e bashkëshortit në aktivitetet më të zakonshme të jetës.

Megjithatë, pavarësisht vështirësive, Miranda vijoi të ishte aktive për shumë vite në punën e saj, ndërsa kujton me mirënjohje mbështetjen e kolegëve dhe stafit.

“Me punën që unë kam bërë, kam pas mbështetje të stafit, kolegëve. Nuk doja ta pranoja që isha e sëmurë, e kaloja duke menduar pozitivisht. Kam punuar kuzhiniere në një çerdhme. Pasi bëra ndërhyrje në zemër, përfundova në shtëpi.”

60-vjeçarja nga Korça thotë se përballja me Sklerozën e Shumëfishtë kërkon jo vetëm trajtim mjekësor, por edhe mbështetje emocionale.

“Kërkon përkrahje, kërkon mbështetje, sidomos nga familjarët dhe njerëzit që të rrethojnë. Edhe nga mjekët.”

Në këtë rrugëtim të gjatë, mbështetja e familjes ka qenë vendimtare. Ajo tregon se bashkëshorti dhe dy djemtë kanë qenë pranë saj në çdo moment.

“Bashkëshorti e ka përjetuar më keq sesa mua. I thash mos u mërzit, mka thënë do jem pranë teje për çdo gjë. Bashkë me dy djemtë.”

Sot, pas më shumë se 20 vitesh bashkëjetesë me sëmundjen, Miranda ka një mesazh për të gjithë personat që përballen me të njëjtën sfidë: të mos humbasin shpresën dhe të mendojnë pozitivisht.

“Për njerëzit që janë me këtë sëmundje, do u thoja vetëm mendoni pozitivisht.”

Në vend, ndërkohë, po zhvillohet një fushatë ndërgjegjësuese për sklerozën multiple,  “Ec si une, Hyr në botën time”, një nismë e rëndësishme që synon të rrisë informacionin në shoqëri, të ulë stigmat dhe të forcojë mbështetjen nga institucionet por, jo vetëm, për personat që jetojnë me këtë sëmundje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!