Këtë të shtunë, 23 maj, demokratët u drejtohen kutive të votimit për të marrë pjesë në referendumin për konfirmimin ose jo të Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike.
Gazetari i politikës në ABC News, Andon Kello nga selia blu raporton se procesi i votimit ka nisur në orën 08:00 dhe pritet të përfundojë në orën 19:00. Demokratët do të kenë mundësinë të votojnë deri në mbrëmje në të gjitha degët e Partisë Demokratike në rrethe. Janë mbi 70 degë dhe mbi 90 qendra votimi për demokratët.
Berisha është kandidat i vetëm për postin e kryetarit të Partisë Demokratike.
Referendumi i 23 majit sipas të përjashtuarve nga gara po bojkotohet. Ervin Salianji deklaron se shumë demokratë po refuzojnë të marrin pjesë në votim, ndërsa të tjerë po shkruajnë emrin e tij në fletën ku kandidat i vetëm është Sali Berisha, duke e bërë votën të pavlefshme.

Edhe Evi Kokalari ka kërkuar bojkot të procesit, duke e cilësuar atë një farsë pa legjitimitet.
Ajo ka kallëzuar në SPAK Sali Berishën dhe familjen e tij, se kanë përdorur dhe kanë marrë peng Partinë Demokratike për interesa personale, për korrupsion dhe për t’u bërë mburojë ndaj drejtësisë.


