Një tentativë klasike për të blerë vota. Kështu e quajnë ekspertët e ekonomisë veprimin e fundit të Albin Kurtit dhe qeverisë së tij në detyrë.
Vetëm disa ditë para zgjedhjeve të 7 qershorit Kurti vendos të jap 100 euro shtesë për disa kategori si pensionistët, fëmijët, puntorët e sektorit privatë dhe studentët, ndërsa do të rriten shtesat edhe për lehonat.
Analisti Vebi Mujku deklaroi për Ballkan Update se shpërblimi me 100 euro për kategori specifike ngre pikëpyetje nëse është për politikë sociale apo ndërhyrje indirekte tek vota. Sipas tij, vendi ka nevoja urgjente në sektorin social dhe shëndetësor, përfshirë mungesën e qendrave për fëmijë, kapacitetet e kufizuara për të moshuarit dhe problemet me barnat në qendrat onkologjike. Mujku shtoi se rreth 1 milion përfitues aktivë dhe shpërndarja e afro 100 milionë eurove përbëjnë një barrë të vështirë për ekonominë e Kosovës.
“Jemi në një situatë ku a do të merret me politika sociale apo ndërhyrje në zgjedhje. Nëse e mendojnë si ndërhyrje sociale, ku Kosova është vendi i dytë më i varfër në Evropë, do të ishte në rregull të planifikohej një rritje e tillë dhe të vijonte. Kjo ndërhyrje e dëmton buxhetin për shkak se Kosova ka nevoja të shumta; po ballafaqohemi me mungesë të qendrave që strehojnë fëmijët, për personat e moshuar janë 250 shtretër për 250 mijë të moshuar. Kemi probleme në qendrat onkologjike, ku barnat janë të shtrenjta, mos të flasim për fushat e tjera. Dolën rreth 1 milion përfitues; nëse Kosova ka 1.6 milion banorë rezidentë, figuron që janë diku te 112 mijë pensionistë, janë 70 mijë pensionistë të skemave të tjera dhe 400 mijë fëmijë. Kemi rreth 50 mijë studentë aktivë dhe në total janë 1 milion përfitues aktivë. Kemi të bëjmë me rreth 100 milionë euro që do të shpërndahen dhe, në këtë kohë, është një shumë e papërballueshme për Kosovën.”


