Të tjerë refugjatë shqiptarë janë kthyer nga Franca për shkak se u është refuzuar azili.
Sot në aeroportin e Rinasit janë kthyer vullnetarisht 130 shqiptarë. Kthimi i tyre u bë nëpërmjet aeroportit të Rinasit ku ishte e pranishme edhe Drejtoresha e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Drejtuese e Lartë Aida Hajnaj.
Në fjalën e saj Hajnaj theksoi edhe një herë bashkëpunimin mjaft të mirë që ka Policia Shqiptare me zyrat e migracionit në BE dhe apeloi edhe një herë ndërgjegjësimin e shtetasve shqiptarë azilkërkues dhe respektimin e rregullave të lëvizjes së lirë në zonën Schengen.
Aida Hajnaj: “Zyra franceze për emigracionin dhe integrimin sot ka kthyer në aeroportin e Rinasit 130 shtetas shqiptarë të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil. Autoritetet shqiptare janë në bashkëpunim të vazhdueshëm, rigoroz dhe korrekt me autoritetet franceze dhe me autoritetet e vendeve të tjera të BE-së dhe Schengen-it, të cilat kanë probleme me kërkesat për azil nga shtetas shqiptarë.
Bashkëpunimi konsiston në rritjen dhe forcimin e shkëmbimit të informacionit dhe në zbatimin e masave nga të dy palët me qëllim parandalimin e këtij fenomeni.
Shtetasit shqiptarë duhet të ndërgjegjësohen dhe të kuptojnë se rruga e vetme për t’u integruar në vendet e BE-së dhe në Schengen, është vetëm respektimi i rregullave dhe i parimeve të lëvizjes së lirë.
Gjithashtu dua të theksoj edhe një herë se edhe gjatë vitit 2018, Policia Shqiptare ka marë të gjitha masat për të parandaluar fenomenin e azil-kërkimit në vendet e BE-së dhe në Schengen. Në të gjitha pikat e kalimit kufitar janë forcuar dhe vazhdojnë të zbatohen në mënyrë rigoroze dhe korrekte, masat e përcaktuara për parandalimin e këtij fenomeni.
Aktualisht vetëm gjatë këtij muaji, kemi një sërë rastesh që janë goditur për dokumenta të falsifikuara, të cilët kanë dashur të kalojnë kufijtë për të kërkuar azil në vendet e BE-se dhe në Schengen.
Gjithashtu në vijim të masave do të vazhdojmë me identifikimin e të gjithë shtetasve, të cilët përdorin dokumenta false apo dokumenta të tjera, për të lëvizur në vendet e BE-së dhe Schengenit, në mënyrë jo të rregullt dhe jo në respekt të parimeve dhe rregullave të lëvizjes së lirë”. /tvklan.al