Kandidati i vetëshpallur për bashkinë e Tiranës, Erion Braçe ka ngritur shqetësime për kryeqytetin në parlament. Ndonëse nuk ka marrë miratimin e kryesocialistit Edi Rama për kandidaturën, fushatën Braçe e ka nisur si në rrugët e qytetit dhe në parlament.
Në një interpelancë në Kuvend ai shprehu shqetësim mbi situatën aktuale të cilësisë së materialeve të ndërtimit nisur kjo nga pallati i djegur në kryeqytet, duke theksuar se ka pasur shumë gabime në ndërtimet e reja dhe se përgjegjësit duhet të mbajnë llogari.
“Një shtet i tërë i rreshtohet vullnetit bamirës të një hetuesi dhe harron ta përballë atë me ligjin. Dhe ligji është shumë i qartë në këtë rast, të gjitha janë përgjegjës për këtë hall apo shqetësim”
Ministri i Infrastrukturës Enea Krakaçi theksoi se tashmë do të ndryshohen një sërë aktesh ligjore për të rritur cilësinë e materialeve që përdoren në ndërtim.
“Ky projektligj synon krijimin e një sistemi modern dhe të unifikuar për vlerësimin, verifikimin dhe deklarimin e performancës së produkteve të ndërtimit në përputhje me standardet e Bashkimit Europian. Po ashtu, parashikon edhe ngritjen e strukturave përgjegjës për certifikimin, vlerësimin teknik dhe mbikëqyrjen e tregut me qëllim rritjen e sigurisë”, -tha ministri.
Një tjetër shqetësim që ka ngritur deputeti socialist në parlament është trajtimi i ujërave të zeza. Ai kërkoi që institucionet të veprojnë shpejt për të ndaluar këtë situatë alarmante.
Asnjë impiant përpunimi ujrash nuk është ndërtuar që të shoqërojë ndërtimet masive në Tiranë, është e qartë do vijmë shpejt në këtë krizë që do fusë në kolaps gjithë qytetin, do cenojë edhe më keq gjendjen aktuale që është shumë keq. Dua të di cfarë mendoni të bëni. Tirana është e të gjithëve” u shpreh Brace.
Ndërkohë që Ministri i Infrastrukturës tha se në plan kanë një projekt për trajtimin e ujërave të zeza i cili pritet të nisë shpejt/abcnews.al


