Avokati Idajet Beqiri, i ftuar në emisionin “Ora e Fundit”, komentoi nominimin e Eric Wendt si ambasador të SHBA në Shqipëri, duke e cilësuar ardhjen e tij si një zhvillim pozitiv për vendin.
Sipas Beqirit, karriera e Wendt dhe eksperienca e tij pritet t’i japin drejtim çështjeve që, sipas tij, kanë mbetur pezull, veçanërisht në sistemin e drejtësisë.
Ai u shpreh se reforma në drejtësi nuk është çuar deri në fund dhe se ende mbeten probleme të pazgjidhura, duke përmendur mosgoditjen e krimit dhe mosndëshkimin e disa ngjarjeve të rënda kriminale.
Në deklaratën e tij, Beqiri kritikoi edhe SPAK-un, për të cilin tha se nuk ka goditur “thelbin” e krimeve që kanë dëmtuar Shqipërinë dhe shqiptarët dhe se pas tyre qëndron Sali Berishën.
Sipas tij, mesazhet e dhëna nga Wendt në Senat ishin të qarta për nevojën e një drejtësie të pavarur dhe jo politike.
“Ardhja e një gjenerali me një karrierë brilante në të gjitha fushat është një ogur jashtëzakonisht i mirë për Shqipërinë dhe, në këtë aspekt, shumë punëve që kanë mbetur në mes të rrugës do t’u jepet drejtim.Shqipërisë në rrugë i kanë mbetur problemet e drejtësisë. Shqipëria ka bërë një reformë, por që nuk është çuar deri në fund. Kjo reformë ka plagë të mëdha, si mosgoditja e krimit, por edhe mosprekja e disa krimeve që kanë lënë plagë dhe kanë shkaktuar viktima të shumta, në përmasa të masakrave të vërteta.
Nga qeverisja serbofile e Sali Berishës janë vrarë shumë shqiptarë dhe gjaku i tyre sikur ka ikur lumë dhe nuk i është hyrë asnjë gjemb në këmbë.
Ambasadori i dha mesazhet në Senat dhe paralajmëroi se çfarë do të bëjë. I tha SPAK-ut: ‘Jo politik’ dhe ‘Bëhu i pavarur’. SPAK nuk goditi në thelb, te ato krime që kanë dëmtuar Shqipërinë dhe shqiptarët. SPAK-u u kthye në një celulë të PD-së. Ajo u bë një opozitë që goditi vetëm të majtët. Ka goditur elementë më pozitivë të këtij vendi dhe, për rrjedhojë, është kthyer në një celulë të Partisë Demokratike”, tha ai.


