Ka përfunduar pas 7 orësh seanca gjyqësore për caktimin e masave të sigurisë në ngarkim të 4 drejtuesve të Komisariatit Sarandë.
Prokuroria, e përfaqësuar nga Silvana Belishta dhe Esmeranda Basho, ka kërkuar caktimin e masave “arrest me burg” 45 ditë, afat brenda të cilit prokuroria do të paraqesë në gjykatë prova shtesë mbi të cilat mbështet akuzat, për Gëzim Bashllari dhe Robert Culli, dhe “arrest në shtëpi” për Ajdin Islamaj dhe Andi Duro.
Avokatët mbrojtës kundërshtuan masën e kërkuar nga prokurorët, duke i cilësuar arrestimet e tyre të paligjshme, dhe kërkuan lirimin e tyre të menjëhershëm. Gjatë seancës gjyqësore kanë folur edhe vetë katër drejtuesit e komisariatit, të cilët kanë hedhur poshtë akuzat ndaj tyre, duke u shprehur se janë të pafajshëm.
Gjykata, e përfaqësuar nga gjyqtari Shkëlzen Liçaj, vendosi në përfundim të seancës gjyqësore të pranojë kërkesën e prokurorisë dhe caktimin e masave “arrest me burg” 30 ditë për Gëzim Bashllari dhe Robert Cullaj, si dhe “arrest shtëpie” për Ajdin Islamaj dhe Andi Duro.
Ata u arrestuan pasi u zbulua një ndërtim pa leje në një hapësirë plazhi, ku po kryheshin punime të paligjshme në një objekt të përbërë nga disa struktura, një pjesë e të cilave ndodheshin edhe në ujë.
/ abcnews.al


