Shqiptarët që u nisën drejt Shkupit në mbështetje të studentëve që protestuan për gjuhën shqipe u ndaluan dhe ngadalësuan qëllimisht nga policia e Hristian Mickoskit.
Autobusët me dhjetra studentë nga Tirana u bllokuan fillimisht në kufi dhe më pas u devijuan drejt Kumanovës.
Sipas tyre, skenari ishte i qartë, të mos i lejonin të shkonin në destinacion me qëllim dobësimin e protestës.
Analisti Arben Ratkoceri deklaroi se reagimi i studentëve nuk lidhet vetëm me provimin e jurisprudencës, por me zbatimin e plotë të ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, ligji i miratuar në vitin 2019 parashikon që aktet që nuk harmonizohen brenda një viti, automatikisht e bëjnë shqipen gjuhë zyrtare në institucionet përkatëse. Ratkoceri theksoi se tensionet politike mes partive shqiptare dhe dobësia e koalicionit aktual qeveritar po përdoren për të përgatitur opinionin publik për rrëzimin e këtij ligji.
“Studentët përqendrimin e kanë pasur për ligjin në tërësi dhe jo për provimin e jurisprudencës. Në Maqedoni, në vitin 2019 u miratua një ligj special që në mënyrë automatike zyrtarizon gjuhën shqipe, dhe në nivele të tjera shqipja është e barabartë me atë maqedonase. Ato ligje që brenda një viti nuk harmonizohen, në mënyrë automatike shqipja bëhet zyrtare.
Problematika është se qeveria aktuale dhe partia kryesore parashtruan mundësinë për zgjidhjen e kësaj çështjeje me ndërhyrjen në ligjin për jurisprudencën, por çfarë do bëhet me provimet e tjera. Studentët kërkojnë zbatimin e ligjit, jo për provime specifike dhe parciale. Problematika kryesore është për shkak se po shfrytëzohet ndarja ekstreme e dy taboreve politike shqiptare, atë të partisë në opozitë dhe paaftësia e koalicionit aktual qeveritar që, duke ditur peshën e vet thuajse të parëndësishme, ka nisur të përgatisë opinionin për rrëzimin e këtij ligji.”


