Sondazh

Mendoni se po zbatohet si duhet vendimi i Gjykatës së Lartë për rishikimin e praktikës së paraburgimit?

Loading ... Loading ...
 

Siguria rajonale në vend/ Ministri Nufi: Masa të shtuara për emergjencat. Organizimi i FA në përputhje me standardet e NATO-s

schedule11:37 - 15 Maj, 2026

schedule 11:37 - 15 Maj, 2026

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi deklaroi në një konferencë për mediat se Shqipëria mbetet e angazhuar plotësisht si shtet anëtar i NATO-s, duke kontribuar në sigurinë rajonale dhe më gjerë.

Ai theksoi se Forcat e Armatosura po kalojnë një proces të vazhdueshëm modernizimi, ndërsa vëmendje e veçantë po i kushtohet edhe zhvillimit të industrisë ushtarake në vend.

“Shqipëria, e angazhuar plotësisht si shtet aleat në NATO me përgjegjësitë e saj drejt sigurisë rajonale e më gjerë, si dhe e përkushtuar në modernizimin e vazhdueshëm të Forcave tona të Armatosura, zhvillojmë më tej industrinë ushtarake dhe bëhemi gati me masa të qarta në përballimin e emergjencave civile përgjatë sezonit veror”, u shpreh ministri Nufi.



Sipas tij, prioritet mbetet edhe përgatitja për menaxhimin e emergjencave civile gjatë sezonit veror, me masa të qarta dhe koordinim institucional.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua modernizimit të Forcave të Armatosura, ku prioritet mbeten investimet në sistemet e mbrojtjes ajrore, teknologjitë dronë dhe kundër-dronë, mbrojtjen kibernetike, fuqinë e zjarrit të artilerisë, mjetet taktike dhe sistemet moderne të komunikimit.

“Padyshim, që modernizimi i Forcave tona të Armatosura mbetet një nga prioritetet strategjike. Investimet janë përqendruar në kapacitete me ndikim të drejtpërdrejtë operacional, në përputhje me objektivat e NATO-s dhe nevojat e sigurisë kombëtare”, u shpreh ministri i Mbrojtjes, sipas të cilit, ky proces po zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me aleatët tanë në NATO dhe partnerët strategjikë.

Në kuadër të zhvillimit të industrisë së mbrojtjes, Ministri Nufi vlerësoi marrëveshjen strategjike mes kompanisë shtetërore “Kayo” dhe kompanisë italiane “Fincantieri”, e cila synon krijimin e një kantieri të ri detar në Pashaliman për prodhimin e mjeteve lundruese. Projekti parashikon krijimin e rreth 400 vendeve të reja të punës dhe zhvillimin e kapaciteteve teknologjike në vend.

“Ky partneritet hap rrugën për prodhimin në Shqipëri të mjeteve lundruese detare, si për nevojat kombëtare ashtu edhe për tregjet ndërkombëtare. Projekti parashikon: krijimin e një kantieri të ri në Pashaliman; punësimin e rreth 400 qytetarëve; zhvillimin e aftësive teknologjike dhe profesionale të të rinjve dhe kthimin e Shqipërisë në një bazë të rëndësishme europiane për ndërtimin e anijeve të vogla dhe të mesme. Ky është një investim me rëndësi strategjike, jo vetëm për mbrojtjen, por edhe për zhvillimin ekonomik dhe industrial të vendit”, nënvizoi Ministri i Mbrojtjes.

Ministri Nufi evidentoi gjithashtu rritjen e ndjeshme të interesit të të rinjve për t’iu bashkuar Forcave të Armatosura. Sipas të dhënave të fundit, rekrutimet janë rritur me rreth 90% gjatë dy viteve të fundit, ndërsa pjesëmarrja e grave në fazat e rekrutimit arrin në 12–13%.

Në prag të sezonit veror, Ministri i Mbrojtjes prezantoi edhe masat e ndërmarra për përballimin e emergjencave civile. Ai bëri të ditur se janë forcuar strukturat në nivel vendor, është rritur koordinimi ndërinstitucional dhe janë shtuar kapacitetet njerëzore e teknike për reagim ndaj situatave emergjente. Gjithashtu, fondi për mbrojtjen civile është rritur nga 800 milionë lekë në vitin 2025 në 1 miliard lekë për vitin 2026.

Në përfundim të konferencës, Ministri Nufi ritheksoi angazhimin e Ministrisë së Mbrojtjes për transparencë, komunikim të vazhdueshëm me publikun dhe forcim të mëtejshëm të kapaciteteve mbrojtëse të vendit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!