Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian si një rrugëtim sfidues, por të pakthyeshëm, duke deklaruar se vendi ndodhet tashmë në hapat e fundit drejt një arritjeje historike.
Gjatë fjalës së tij në kremtimet e Ditës së Europës, Rama hodhi poshtë perceptimet e BE-së si një “barrë”, duke e cilësuar atë si garancinë e vetme për ndërtimin e shtetit të së drejtës.
Kreu i qeverisë nënvizoi se partneriteti “dorë për dorë” me Brukselin është busulla që siguron qëndrueshmërinë e reformave në vend. Sipas tij, BE nuk është një kufizim, por një perimetër sigurie që garanton standardet demokratike që nuk mund të negociohen.
“Nëse ne sot jemi besimplotë për ecurinë e këtij procesi, kjo lidhet pikërisht me ecjen dorë për dorë me BE. BE dhe të qenit njëkohësisht pjesë e tij është një garanci. Shumëkush e pikturon BE-në si një pengesë, barrë, apo një perimetër për të mos marrë frymë lirisht.
Por, nuk ka gjë më larg të vërtetës dhe të gabuar, sepse BE garanton perimetrin e shtetit të së drejtës dhe kjo nuk mund të negociohet, por vetëm të respektohet kur e ke dhe të ndërtohet kur nuk e ke. Në këtë ditë që kremton Europën si një djep kulturash dhe vullnetesh unë dua ta nënvizoj me forcë që shqiptarët janë në ditën e tyre më të mirë, por njëkohësisht besimi për të qenë pranë Europës së Bashkuar është një garanci për të qenë në rrugën e garancisë pa kthim.
Është një rrugë pa kthim. Për këtë dua që të nderoj sot të gjithë ata që e imagjinuar dhe më pas i dhanë jetë idesë së Bashkimit Europian. Dua të falnderoj gjithashtu të gjithë ata që punuar për ta sjellë sa më afër për Shqipërinë ëndrrën për Bashkimin Europian”, tha kryeministri Rama.


