Një dënim me 26 vjet burg, i dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për dy persona të akuzuar për trafikimin e 1 ton kanabis, mund të ndryshojë. Bazuar në ndryshimet e Kodit Penal dhe atij të procedurës penale, Apeli prishi vendimin e Shkallës së Parë dhe dërgoi çështjen për rigjykim në Gjykatën e Durrësit.
Ndryshimet në Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale janë bërë shkak për prishjen e një dënimi me 26 vjet burg në total dhënë ndaj dy personave të akuzuar për tentativën e trafikimit të një sasie prej gati 1 ton kanabis drejt Italisë.
Vendimi është shpallur nga Apeli i Krimeve të Rënda dhe i përket dosjes me të pandehur Albert Doku dhe Ervin Pëllumbi. Ata u arrestuan në tetor të vitit 2015 gjatë operacionit të koduar “Poker”. Sipas prokurorisë, ata Doku dhe Pëllumbi ishin pronari dhe drejtuesi i një kamioni të ngarkuar në Bushat të Shkodrës me lëndë drusore me destinacion italinë. Në portin e Durrësit, policia gjeti të fshehur mes baletave të druve sasinë prej 989 kg kanabis sativa. Në tetor 2017 Shkalla e Parë e Krimeve i shpalli fajtor për “trafik të narkotikëvë”, në bashkëpunim, mbetur në tentative duke dhënë për ta dënime me 14 dhe 12 vjet burg.
Situata ndryshoi krejtësisht në Apel. Gjatë shqyrtimit të ankimit të tyre, kjo gjykatë ngriti kryesisht çështjen e kompetencës lëndore.
Pas një interpretimi të dispozitave ligjore të ndryshuara, të hyra në fuqi në 1 gusht 2017, Apeli i Krimeve ka vlerësuar se Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda nuk ishte kompetente për shqyrtimin e dosjes. Apeli prishi vendimin e Shkallës së Parë dhe dërgoi çështjen në Gjykatën e Durrësit, si gjykatë që ka kompetencën territoriale për të gjykuar. Ky vendim mund të kthehet në një precendet për një sërë vendimesh të shpallura nga Krimet e Rënda pas ndryshimeve që pësoi Kodi i Penal dhe Kodi i Procedurës./abcnews.al