Një alarm për bombë në një qendër tregtare në Tiranë ka ngjallur panik mbrëmjen e sotme, 25 prill, por pas verifikimeve nga autoritetet ka rezultuar i rremë.
Sipas Policisë, rreth orës 20:10, shtetasi me iniciale A.D., me detyrë shef i sigurisë në këtë qendër tregtare, ka njoftuar sallën operative se në adresën e tij elektronike kishte mbërritur një mesazh kërcënues. Në të pretendohej se në ambientet e qendrës ishte vendosur një sasi lënde plasëse, e cila do të shpërthente në orën 20:30.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë, Forcat Xheniere dhe strukturat e Antiterrorit, të cilat kanë kryer kontrolle të imtësishme në të gjithë perimetrin e qendrës tregtare.
Pas verifikimeve, nuk është konstatuar asnjë element i paligjshëm apo mjet shpërthyes.
Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për identifikimin e personit që ka dërguar emailin kërcënues, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.


