Eksperti për çështjet ndërkombëtare, Emilio Çika thotë se vizita e kryeministrit Edi Rama në Ahtinë, ku pati takim me homologun grek, Kyriakos Mitsotakis, ishte e rëndësishme për integrimin e vendit në BE.
Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Çika u shpreh se Greqia e mbështet Shqipërinë dhe se interesi i politikës së jashtme greke, është që fqinjët e saj të jenë pjesë e Bashkimit Europian.
“Edhe pjesëmarrja e kryeministrit në Forumin e Delphit, ishte në kuadër të veçantë. Takimi i kryeministrit Rama solli disa zhvillime politike. Shqipëria ka nevojë për të përmbyllur çështjet mes dy vendeve. Diplomacia do duhet të bëjë mësymje diplomatike ndaj disa qendrave evropiane. Më e rëndësishmja, vendimmarrja e dy vendeve për të çuar legjitimimin e kufijve detarë në Gjykatën e Hagës. Marrëveshja e re strategjike mes Shqipërisë dhe Greqisë. Që të kemi marrëveshje të re strategjike, duhet që pikat që ndajnë dy vendet, të zgjidhen. Greqia, që prej viteve ’90, ka qenë mbështetëse e Shqipërisë në aspektin e integrimit. Në nisma të caktuara, Greqia ka qenë krah Shqipërisë, interesi i politikës së jashtme greke është që fqinjët e saj të jenë pjesë e Bashkimit Europian. Greqia, do jetë dhe është mbështetëse e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, theksoi ai./abcnews.al


