Për kryeministrin Edi Rama, diaspora është forca e shtuar e zhvillimit të vendit.
Në podcastin “Flasim”, Rama u shpreh se Samiti i IV i Diasporës, konfirmoi një ndryshim të qartë në raportin e Shqipërisë me diasporën dhe vetë pozicionin e Shqipërisë në sytë e diasporës.
“Samiti i IV i Diasporës, i cili u zhvillua më 13 dhe 15 prill, konfirmoi një ndryshim të qartë në raportin e Shqipërisë me diasporën dhe vetë pozicionin e Shqipërisë në sytë e diasporës. Them konfirmoi sepse kjo ishte diçka që ne e pamë dhe e prekëm konkretisht edhe në zgjedhjet e shkuara, ku diaspora mori pjesë në një numër jo të vogël krahasimisht me pritshmëritë, sepse ishte hera e parë që merrte pjesë në zgjedhje dhe ku, sipas këndvështrimit tim, u konfirmua një mbështetje masive për shkak të ndryshimeve dhe transformimit të madh që Shqipëria ka pësuar në këto vitet e fundit. Por ajo që është më e rëndësishme është që sot diaspora shqiptare nuk është thjesht një histori largimi, por është një forcë e shtuar e zhvillimit të vendit, që shfaqet jo thjesht dhe vetëm përmes asaj që diaspora ka bërë gjithmonë, që ka qenë mbështetja monetare e familjeve këtu në Shqipëri, por edhe përmes elementësh realisht të admirueshëm të botës së saj të re, qoftë atyre që kanë spikatur në fushat profesionale, qoftë atyre që kanë spikatur në fushën e sipërmarrjes. Dhe çka ishte deri dje një hendek apo një distancë, sot është kthyer në një urë lidhjesh shumë konkrete në ekonomi, në dije dhe, përgjithësisht, në rritjen e ndikimit të Shqipërisë përmes shqiptarëve të saj kudo ku ata ndodhen”, theksoi ai./abcnews.al


