Policia ka publikuar pamjet nga finalizimi i operacionit policor të koduar “Ghost Call” për goditjen e mashtrimit kompjuterik të kryer nëpërmjet call centerave në Tiranë.
Operacioni u finalizua nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me autoritetet austriake, me mbështetjen e EUROPOL, si dhe në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
Pas 2 vitesh hetime, në pranga u vunë 10 shtetas, u ekzekutuan 2 masa sigurie të tjera për 1 shtetase, si dhe u shpallën në kërkim 4 shtetas, të përfshirë në këtë veprimtari, me role të ndryshme.
Ndërkaq, policia sekuestroi 891 735 euro të dyshuara të përfituara nga kjo skemë mashtrimi, si dhe 443 kompjuterë, 238 celularë, 6 laptopë dhe pajisje të tjera (HDD, DVR), nëpërmjet të cilave kryhej aktiviteti.
Gjykata e Tiranës lejoi kontrollin në 3 subjekte në Tiranë, si dhe në 9 banesa të shtetasve të dyshuar të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Gjatë ndërhyrjes, në këto ambiente u gjetën shtetas të punësuar si operatorë, duke kryer mashtrim kompjuterik./abcnews.al


