Largime në masë, zbuloni 19 lëvizjet e merkatos në Superiore

schedule08:37 - 28 Dhjetor, 2019

schedule 08:37 - 28 Dhjetor, 2019

Superiorja rikthehet në fund të muajit janar, ndërkohë që ka disa lëvizje në klubet e elitës së futbollit shqiptar. Mbizotërojnë largimet, disa prej tyre të konfirmuara dhe të tjera që pritet të zyrtarizohen në ditët në vijim.

Pa u mbyllur pjesa e parë e kampionatit janë larguar disa futbollistë dhe është Lacci që e mban rekordin, me shtatë të larguar. Bëhet fjalë për lojtarë që nuk kanë pasur hapësira dhe klubi i ka lënë të lirë dhe tashmë kërkon të tjerë për t’i zëvendësuar.

Edhe te Kukësi ka pasur lëvizje në dalje, një prej tyre titullar. I trembur nga tërmeti, Tome Kitanovski la Shqipërinë dhe u rikthye në Maqedoninë e Veriut. Më parë nga verilindorët kishte ikur edhe Oumar Camara, i marrë te Besëlidhja në huazim.

Bylisi i vendit të dytë nuk qëlloi në shenjë me afrimet e verës për sulmin dhe Diego Celis e Michel Mbiobe duhet të kërkojnë për skuadër tjetër. Të njëjtën gjë duhet të bëjnë edhe Darko Nikac dhe Roni Gashi, zyrtarisht të larguar nga Teuta.

Edhe te Luftëtari ka largime. Cerezo Hilgen dhe Andi Renja janë dy prej lojtarëve, ndërkohë që në vazhdim pritet të konfirmohen të tjera lëvizje në dalje. Flamurtari gjithashtu do të pësojë revolucion. Nga vlonjatët janë disa lojtarët e larguar pa u mbyllur kampionati, për shkak të problemeve financiare. Ka edhe klube ku ende nuk ka lëvizje, por zërat për largime nuk mungojnë, sikurse ndodh te Tirana e Vllaznia. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!