Petër Sorensen, emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë Serbi ka qënë në Beograd për një takim me presidentin serb Aleksandër Vuçiç.
Në njoftimin e tij për takimin, Vuçiç e cilësoi bashkëbisedimin të thellë për disa prej çështjeve kyçe që rëndojnë marrëdhëniet në rajon.
Vuçiç i ka shprehur “shqetësimet” e tij emisiarit europian për situatën aktuale në Kosovë “me fokus të veçantë te siguria e popullit serb, si dhe te pasiguria e madhe në të cilën ata jetojnë, duke pasur parasysh zbatimin selektiv të rregullave të ndryshme dhe diskriminimin e dukshëm në pothuajse të gjitha sferat e jetës”.-sipas tij.
Presidenti serb akuzoi Kosovën për “masa të njënashme” dhe tha se “zbatimi i rregullave pa marrë parasysh rrethanat reale në terren dhe pa marrëveshje në Bruksel, krijojnë presion serioz ndaj popullit serb dhe institucioneve jetike serbe në Kosovë”.
Vuçiç kërkoi edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, një temë që duket se u zbeh së fundi nga ana e BE-së, e cila më parë kishte këmbëngulur vazhdimisht në themelimin e tij.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka njohur zhvillim prej dy vitesh.
Ndalesa e fundit e Sorensen në Kosove ka qenë në 14 mars në një tjetër tentativë për të “ringjallur” dialogun.


