Tifozë nga Tirana dhe qytete të tjera të Shqipërisë janë nisur drejt Prishtinës për të ndjekur dhe mbështetur Kosovën në finalen e madhe kundër Turqisë, që do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Të organizuar në grupe dhe me automjete të zbukuruara me flamuj kuqezi, tifozët kanë krijuar një atmosferë festive përgjatë rrugëtimit të tyre. Të veshur me fanellat e kombëtares dhe nën tingujt e borive të automjeteve, ata kanë shfaqur entuziazëm dhe përkrahje të zjarrtë për përfaqësuesen e Kosovës.
Kolona e gjatë e mjeteve ka kaluar pikën kufitare të Morinës mes brohoritjeve dhe urimeve më të përzemërta për ekipin kosovar, duke e kthyer këtë udhëtim në një manifestim të fuqishëm sportiv dhe kombëtar.


