Po firojnë pak si tepër. Kombëtarja shqiptare ka humbur tre futbollistë që pas ndeshjes me Poloninë në plej ofin e Kupës së Botës, ndërsa një tjetër është në dyshim.
Pasi Arlind Ajeti u largua u dëmtuar dhe rrezikon të mungojë gjatë, dhe pasi Ylber Ramadani mori leje për të ikur para kohe, nga grupi u shkëput edhe Ernest Muçi, me Jasir Asanin që mbetet në dyshim.
Futbollisti që luan në Turqi ka lëndim, edhe pse jo serioz, ndërsa ylli që mbetet pjesë e ekipit Esteglal në Iran, po ashtu ka marrë një goditje në gju.
Trajneri Silvinjo nuk ka thirrur futbollistë të tjerë, dhe kombëtarja është e përbërë për momentin nga 22 vetë, e duket se kaq do të jenë për sfidën miqësore ndaj Ukrainës këtë të martë.
Braziliani zhvilloi edhe seancën e dytë stërvitore në kompleksin sportiv “Parador de El Saler” në Valencia, dhe përgatitja zgjati rreth 60 minuta.
Siç njofton Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), Silvinjo dhe stafi kishin përgatitur ushtrime fizike fillimisht për lojtarët, e pastaj pati veprime me topin dhe u mbajt edhe një ndeshje kontrolli.
Asani nuk ishte në fushë, dhe stafi mjekësor do të vendosë sot nëse do të jetë I gatshëm për sfidën apo jo.
Sot në orën 17:00, Silvinjo do të mbajë konferencën për shtyp, me një lojtar në krah, ndërsa në orën 18:00 do të jetë stërvitja e fundit në stadiumin “Estadi Siudad de Valensia” ku këtë të martë do të luhet miqësorja ndaj Ukrainës.


