TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama njoftoi nisjen e një cikli takimesh me komunitetet në të gjitha qarqet e vendit.
Ai theksoi se këto takime do të shërbejnë për të diskutuar për punët e nisura gjatë mandatit të katërt, projektet e ardhshme dhe për të dëgjuar shqetësimet e drejtpërdrejta të qytetarëve.
Gjatë fjalës në podkastin “Flasim”, Rama shtoi se fokus do të jenë sfidat e përbashkëta të vendit, ku përgjegjësia kryesore bie mbi qeverinë, dhe se organizimi i këtyre takimeve lidhet edhe me përgatitjen për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm, duke u angazhuar për një komunikim më intensiv me qytetarët.
“Dhe në mbyllje të shënimeve, dua të nënvizoj se kemi hyrë tanimë në një fazë të re komunikimi më të drejtpërdrejtë dhe natyrisht në të gjithë territorin, ku do të angazhohemi me një cikël takimesh me komunitetet në të gjitha qarqet për të folur për këtë moment të rëndësishëm të vendit, për punët që kanë nisur në këtë mandat të katërt, për punët që do të nisin së shpejti dhe natyrisht për të dëgjuar njerëzit.
Dhe në funksion të organizimit, që si gjithmonë ne e nisim me kohë për atë që do të jetë fitorja e ardhshme shembullore e Partisë Socialiste vitin e ardhshëm në zgjedhjet vendore. Në këto takime do të flasim për punët e Shqipërisë, do të flasim për çka po ndërtojmë, do të flasim për çka shohim si pengesa për t’u kapërcyer.
Do të flasim për gjithçka që njerëzit do të duan të ndajnë me ne apo duan të dëgjojnë nga ne. Dhe patjetër do të ndajmë me njerëzit ato që janë sfida tërësisht të përbashkëta, ku natyrisht përgjegjësia kryesore i takon, dhe s’ka sesi të jetë tjetër, qeverisë.”, tha ai./abcnews.al


