Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar të mërkurën një tjetër kërkesë të Ilir Metës për zbutjen e masës së sigurisë.
Pavarësisht se këtë radhë, Meta depozitoi në Gjykatën e Posaçme të gjitha opsionet për zëvendësim mase, që nga arresti në shtëpi e deri tek garancia pasurore prej 50 mijë eurosh, gjyqtari i Posaçme, Paulin Cera, vendosi që të mos zëvendësojë masën, çka do të thotë se Ilir Meta do të vazhdojë të mbahet në paraburgim.
Dosja ndaj Ilir Metës kaloi për gjykim më 18 mars. Ilir Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, akuzohen për veprat penale të korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë, në tre hetime: çështjen CEZ-DIA, lobimin e LSI në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe hetimin pasuror.
Në këtë proces të pandehur janë edhe Pirro Xhixho, Ema Çoku dhe Fatime Kryemadhi. Xhixho, babai i zv. presidentes aktuale të PL-së, Erisa Xhixho, akuzohet për korrupsion, ndërsa dy të tjerat, Ema Çoku dhe Fatime Kryemadhi, për pastrim parash.
SPAK e akuzon Metën për ndikime korruptive për episode që lidhen me çështjen CEZ-DIA, në një marrëveshje interkoneksioni, si dhe për një marrëdhënie të dyshuar korruptive për ndryshimin e një ligji. Monika Kryemadhi është marrë e pandehur për korrupsion pasiv në dy raste të kryera në bashkëpunim.
Ndërkohë, Pirro Xhixho dyshohet se ka shfrytëzuar autoritetin e tij si kryetar i AKEP-it, ku u propozua nga LSI-ja, dhe në zbatim të porosive të marra nga Meta dhe Kryemadhi ka ndikuar tek drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizimin e një marrëveshjeje korruptive.
Tashmë pritet që gjykata e Posaçme të caktojë trupën gjykuese dhe datën e nisjes së seancave gjyqësore në themel.


