27 vjeçari Liridon Fetahi, që rezulton në listën e më të kërkuarve në Europë është arrestuar sot në lagjen Vetërnik të Prishtinë.
Arrestimi i tij ka ardhur pas një aksioni të Fast (njësisë speciale të Policisë së Kosovës) në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Fetahi rezulton i kërkuar nga autoritetet daneze për vrasje dhe plagosje të rëndë, akte të dyshuara se janë kryer në këmbim të pagesës.
Fotoja e tij ishte publikuar në platformën zyrtare të personave më të kërkuar në Evropë, ku jepeshin detaje për moshën e tij dhe rrezikshmërinë që paraqiste. (foto nga interpoli)
Ai u kap 6 vite pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Sipas njoftimit të prokurorisë arrestimi është kryer në bazë të një letërporosie ose njohur ndryshe si Red Notice, të lëshuar nga autoritetet e INTERPOL-it të Danimarkës.
Rasti është duke u trajtuar në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa autoritetet kompetente janë duke ndërmarrë veprimet e mëtejme ligjore në përputhje me procedurat në fuqi.
Më tej pritet ekstadimi i tij për llogari të drejtësisë daneze.


