Në Gjykatën e Posaçme trupa gjykues e përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Flojera Davidhi dhe Elsa Ulliri, në Gjykatën e Posaçme ka pushuar çështjen ndaj 6 ish zyrtareve të ARRSH, Arbër Troka, Miranda Shkurti, Nikollaq Mihali, Almir Hoxhaj, Erjon Zemanaj, Admir Pahumi.
Pushimi i akuzës është bërë për shkak të parashkrimit të ndjekjes penale.
Mbi këta persona rëndonte akuza për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publikë”.
Më 19 qershor 2025,për këtë grup SPAK përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim të gjashtë zyrtarëve të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ARRSH, të akuzuar për shkelje të barazisë në tenderin për Lotin 1 të Unazës së Re, me fond limit 2 miliardë e 250 milionë lekë, pa TVSH.
Sipas SPAK, hetimi bën fjalë për procedurën e prokurimit me objekt: “Rehabilitim i segmentit rrugor “Mbikalimi pallati me shigjeta Rrethrrotullimi Shqiponja”, Loti 1, me fond limit 2 miliardë e 250 milionë lekë pa TVSH, i vitit 2019. Hetimi është ndarë nga një procedim tjetër i regjistruar pranë SPAK në vitin 2022.


