Është klient i vjetër i kupave, por shkëlqimi ka nisur vonë.
Duhej të vinte dekada e dytë e këtij shekulli që një ekip tepër modest nga Norvegjia, me emrin Bodo-Glimt, të dilte në skenën e konkurrimeve europiane në futboll, ndërsa tani është një realitet.
Skandinavët realizuan mrekullinë e radhës duke mundur 3-0 Sportingun e Lisbonës në stadiumin e tyre, e duke qenë me një këmbë mes 8 ekipeve më të mira në Champions.
Në një përballje tepër të fortë e të ashpër, Bodo ia doli për bukuri me golat e shënuar nga Brunstad Fet në 32’ me penallti, nga Blomberg në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, dhe nga Kasper Hëg në 71’.
Portugezët u përpoqën shumë, veçse u deklasuan nga një ekip shumë i rëndomtë si emër në krahasim me ta, por superior thuajse në çdo element të futbollit.
Edhe pse për herë të parë kaloi një raund në Europë në 2020, pas një pjesëmarrjeje të pasuksesshme 43-vjeçare, sërish Bodo Glimt ka tashmë se çfarë të tregojë.
Biografia në kontinent përfshin shkatërrimin e Romës 6-1 në Ligën e Konferencës, edhe pse më pas ekipi I Zhoze Murinjos dhe Marash Kumbullës I eliminoi në çerefinale për të fituar trofeun në “Arenën Air Albania” në Tiranë.
Në 2025, arritën deri në gjysmëfinalen e Ligës së Europës duke kaluar Lacion, e duke u mundur vetëm nga Totenhemi që më pas u shpall kampion.
Këtë edicion nuk harrohet eliminimi që I bënë Interit në raundin e dytë pasi mposhtën më herët edhe Mançester Sitin dhe Atletikon e Madridit, ndërsa duket se tani e ka radhën edhe Sportingu.
Bodo Glimt, ekipi I një qyteti që dikur ka qenë moçal e qendër peshkimi, ka hyrë një herë në histori si kampionia më veriore e një kampionati në Europë, ndërsa tani ndoshta po synon diçka më të madhe, një triumf në Champions.


