Konflikti në Lindjen e Mesme vazhdon, teksa Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë intensifikuar sulmet ndaj Iranit, dhe ky i fundit është kundërpërgjigjur duke goditur bazat amerikane në rajon.
Izraeli nisi sulme të reja ndaj Iranit, ndërsa bombardimet gjatë natës ishin ndër më të rëndat që nga fillimi i luftës. Sulmet vazhduan edhe ndaj Hezbollah në Bejrut të Libanit, ku u godit një ndërtesë apartamentesh. Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha se sulmet ajrore izraelite gjatë natës kanë vrarë 14 persona dhe kanë plagosur dhjetera te tjerë.
Nga ana tjetër Irani ka vazhduar sulmet e tij në të gjithë rajonin, përfshirë Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kuvajtin.
Katër persona u plagosën kur dy dronë ranë pranë aeroportit të Dubait, ndërsa trafiku ajror nuk është prekur.
Irani paralajmëroi gjithashtu se bankat dhe institucionet financiare janë tani objektiva në Lindjen e Mesme.
Kërcënimi do të vinte në rrezik veçanërisht Dubain, i cili është shtëpia e shumë institucioneve financiare ndërkombëtare, si dhe Arabinë Saudite dhe mbretërinë e Bahreinit.
Zhvillimet vijnë teksa Ngushtica e Hormuzit, një pikë kyçe e kalimit të naftës dhe gazit në botë, po bëhet një vatër gjithnjë e më e nxehtë e konfliktit.
Shtetete Bashkuara thanë se shkatërruan të paktën 16 anije iraniane që vendosnin mina, ndërsa Teherani u zotua të mos lejojë asnjë litër naftë të kalojë nëpër ngushticë.
Ushtria amerikane publikoi pamjet e sulmeve, ndërsa presidenti Donald Trump paralajmëroi se do të godiste Iranin në një nivel të paparë më herët, ndërse nuk heqin çdo minë që mund të kenë vendosur në ngushticë.
Ndërkohë, tre anije tregtare janë dëmtuar nga raketat ne zone, ndërsa fatmirësisht nuk u shënuan viktima nga ekuipazhi. Sipas Qendrës së Operacioneve Tregtare Detare të Mbretërisë së Bashkuar, qe nga fillimi i luftës janë sulmuar te paktën 13 anije.
Kjo situatë ka rritur ndjeshëm çmimet e naftës, të cilat pasi ranë për pak kohë në 86-87 dollarë për fuçi mbrëmjen e së martës, arritën sërish 90 dollarë për fuçi këtë të mërkurë.
Ky ndryshim erdhi mes dyshimeve në tregje, nëse plani i raportuar i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë për një përdorim rekord të rezervave të naftës mund të kompensonte goditjet e mundshme të furnizimit nga lufta me Iranin.
Ministrat e energjisë nga grupi i kombeve G7 publikuan një deklaratë pas një takimi me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë të martën dhe thanë se ata mbështesin, në parim, masat proaktive për të menaxhuar furnizimin me naftë dhe paqëndrueshmërinë e tregut, duke përfshirë përdorimin e rezervave strategjike të naftës.


