Oliver Giroud është një nga emrat më të lakuar të merkatos së janarit. Francezi me shumë mundësi do të largohet nga Chelsea, pasi ka kohë që e ka humbur vendin e titullarit në formacionin e Frank Lampard. Ashtu sic ka kohë që flitet, Giroud mund të largohet nga Londra për Milanon, ku Interi e mirëpret krahëhapur.
Një tjetër alternativë për sulmuesin është dhe rikthimi në Francë. Ai kërkohet nga klube si Montpellier, Rennes dhe Bordeaux, por paga e 33-vjeçarit është e papërballueshme për ekipet e Ligue 1. Megjithatë, në një intervistë të fundit Giroud e la të hapur derën për rikthimin e tij në Francë.
Ofertat për shërbimet e Oliverit kanë ardhur dhe nga kampionati amerikan, MLS. Klubet që kanë kontaktuar me agjentin e francezit janë LA Galaxy dhe FC Toronto. Kampionati atje fillon në 29 shkurt, por këto oferta nuk i kanë pëlqyer aspak trajnerit të Francës, Didier Deschamps.
Ai e shikon sulmuesin si liderin e sulmit të Francës në Euro 2020 dhe dëshiron që ai të vazhdojë të luajë në Europë. Trajneri i ka kërkuar atij t’i refuzojë propozimet nga MLS dhe të vijojë të luajë në një kampionat të rëndësishëm. /abcnews.al