Kryeministri Rama tha socialistët nuk do të japin arrest pa gjyq, dhe se do të jetë procesi gjyqësor që do të flasë për pafajësinë e Belinda Ballukut, ndërsa gjyqet publike si në kohën e gjyshit të saj, ai tha se i përkasin të shkuarës.
Rama e cilësoi të dobët dosjen e SPAK, ndërsa deklaroi se socialistët nuk do lejojnë futjen në burg pa prova të ministres më punëtore të kabineteve të tij, dhe drejtueses së suksesshme të qarqeve Dibër dhe Fiër, për shkak të dy uturakëve mediatikë, Syri TV dhe kanali i Hysenbelliut.
“Nuk e lë dot ujin pa e sjellë këtu, sepse reforma e ujit ka marrë tanimë një pamje të qartë për ku po shkojmë. Në 2022-shin u përmbyll faza e parë e reformës, rajonalizuam shoqëritë, i reduktuam nga 58 në 14 që të rrisnim performancën financiare të sektorit, në 2024 nisëm për herë të parë subvencionimin e ujit për kategori të caktuara të klientëve më vunerabël. Kemi zhvilluar sistemet digjitale për monitorimin e burimeve ujore dhe depove, si dhe përfunduar një projekt për digjitalizimin e shërbimeve për qytetarët. Janë realizuar mbi 35 miliardë lekë investime në këtë sektor. Furnizimi në 24 orë është arritur në 43 zona urbane dhe 98 zona rurale; arkëtimet kanë shkuar në një nivel rekord me 11.2 miliardë lekë në 2024, rritje me 13% ndërkohë që pagesa e faturave të energjisë nga shoqëritë e ujësjellësit që nuk paguanin energjinë ka arritur në 93%. Shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve kanë arritur të mbulojnë kostot e operimit, diçka që nuk ndodhte më parë dhe të mirëmbajtjes, duke treguar që janë shëndoshur financiarisht në pikën kur mund të kalojmë në fazën tjetër të reformës; kanë përfunduar mbi 200 projekte për rindërtimin dhe ndërtimin e ujësjellësve në këto vite, rrjetesh kanalizimi, impiantesh trajtimi të shpërndare në të gjitha qarqet. Janë 80 kantiere në proces.
Tani, unë jam i bindur se kjo pasqyrë faktesh dhe shifrash, sa kokëforta aq edhe domethënëse nga dy sektorët strategjikë që Belinda Balluku ka drejtuar si titullar politik i tyre, do të gjuhet dhe do të pështyhet nga tërë lukunia e pazarit të tenxhereve politike dhe mediatike si të ishte një fletë lavdërimi me fotografinë e saj.
Por faktet janë fakte dhe asgjë nuk i ndryshon dot ndërkohë që për mua, për ne këto nuk janë faktet pafajësisë apo të amnistisë për çfarëdo faji mund të ketë bërë Belinda, të cilin sidoqoftë nuk përcaktojnë dot as një prokuror, as dy uturakë mediatike “Qimbellinjsh”, që mbledhin e hedhin jashtënxjerrjet e urrejtjes ndaj nesh, duke pastruar para dhe duke bërë evazion fiskal nën sytë e mbyllur të Prokurorisë që i ka dosjet për të dyja këto akuza të depozituara institucionalisht nga tatimet e Republikës së Shqipërisë, por tatimet e Republikës së Shqipërisë janë të Republikës, prandaj nuk janë aq të rëndësishme sesa janë “qimbellinjtë” që janë të hurit dhe të litarit dhe nuk e përcaktojnë as të gjitha tenxheret bashkë. Atë fajësinë ose pafajësinë e përcakton vetëm procesi gjyqësor, ndërsa pasqyra e fakteve të një pune kolosale nuk i takon kurrsesi një individi thjesht me një rol të pamohueshëm në të gjithë zinxhirin e arritjeve në dy sektorë kaq të rëndësishëm, por të gjithë atyre që kanë patur një rol për të luajtur nga skuadra e qeverisë tek ajo e Ministrisë së Infrastrukturës, duke filluar nga Sindi 32 kile që na doli dhe njeri për t’u kontrolluar shtëpia në 6 të mëngjesit deri tek i fundit, bashkë më drejtuesit dhe ekipet e institucioneve dhe ndërmarrje të varësisë, pa harruar padyshim dhe deputetet e komisioneve të lidhura me ata sektorë si edhe mbështetjen vendimtare që grupi socialist i ka dhënë të gjitha reformave të bëra dhe për këto fakte, për këto arritje, për të gjitha përpjekjet dhe mundin që është dashur deri këtu, që të gjithë ata që kanë bërë detyrën e tyre, përfshirë patjetër edhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë si përgjegjëse për dy sektorët, meritojnë vetëm respekt.
Ndërsa, të gjithë atyre njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, me kushtin që të mos jenë pjesë e turmës së qorrave dhe të shurdheve, me molotovë në gojë dhe në duar, por që mund të jenë mbështetës tanët, siç mund të mos jenë mbështetës tanët dhe që sido qofshin, e kanë gjykuar tanimë pa gjyq, dënuar pa i dhënë as të drejtën të mbrohet në gjykatë për çka akuzohet dhe duan ta shohin në burg Belinda Ballukun, pa pritur as të hapet dera e sallës së gjyqit për të nisur procesin, u them që t’i bëjnë vetes një pyetje. Ku ndryshojmë ne, që të gjithë ne sot, apo të paktën ku duhet të ndryshojmë ne, shqiptarët e sotëm, pavarësisht bindjeve dhe simpative tona politike apo njerëzore, nga ata që dje e deshën me doemos të pushkatuar gjyshin e saj apo nga ata që regjimi komunist i gjyshit të saj, i deshi medoemos të pushkatuar, të burgosur, të syrgjynosur pasi ua bëri fillimisht gjyqin në gazetë, në radio, në televizion dhe i dënoi në emër të popullit, pa u dhënë as të drejtën të mbrohen në sytë e popullit? Kjo nuk është një pyetje që unë e bëj sot për të mbrojtur Belinda Balllukun nga e vërteta që i takon vetëm procesit mes saj dhe drejtësisë, sepse unë nuk jam avokati i askujt këtu, përballë një akuze të ngritur nga Prokuroria, ndaj kujtdo qoftë këtu brenda apo pranë nesh.
Kjo është një pyetje, të cilën unë e bëj sot për të mbrojtur të vërtetën e madhe që i takon vetëm demokracisë nga të gjithë abuzuesit e saj sepse unë jam kryeministri i këtij vendi, përballë një sfide historike të marrë përsipër nga Partia Socialiste dhe nga unë vetë si udhëheqësi i saj. Kjo e vërtetë e madhe quhet prezumimi i pafajësisë, si parakusht absolut i çdo hetimi dhe procesi gjyqësor dhe si vijë e prerë ndarëse mes demokracisë dhe diktaturës, mes drejtësisë dhe arbitraritetit.”, theksoi ai./abcnews.al


