Kjo e martë shënon katër vjetorin e fillimit të luftës në Ukrainë.
Dhjetëra mijëra trupa ruse, përfshirë njësi elitare ajrore dhe brigada me armatime të sofistikuara, u drejtuan veriun e rajonit të Kievit, ndërsa mbështetësit e Kremlinit shpallën me triumf se kryeqyteti do të pushtohej “brenda tre ditësh”.
Por katër vite më vonë Kievi nuk ka rënë, teksa viktimat e luftës janë rritur ndjeshëm nga të dyja palët.
Në luftë, forcat ruse kanë pësuar gati 1.2 milion humbje, ku llogariten të vrarë, të plagosur dhe të zhdukur. Këto shifra janë më shumë humbje se çdo fuqi e madhe në çdo luftë që nga Lufta e Dytë Botërore, sipas një raporti nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave me seli në SHBA.
Forcat ukrainase ka të ngjarë të kenë pësuar diku midis 500,000 dhe 600,000 humbje, përfshirë të vrarë, të plagosur dhe të zhdukur, dhe midis 100,000 dhe 140,000 viktima midis shkurtit 2022 dhe dhjetorit 2025.
Lufta hynë në vitin e pestë në rrethana krejtësisht të ndryshme nga kur filloi. Mbështetja amerikane për Kievin ka ardhur në rënie, teksa presidenti Donald Trump jo pak herë ka bërë Ukrainën përgjegjëse për konfliktin dhe i ka bërë presion të pranojë një marrëveshje që do e shihte Kievin të humbiste gjithë Donbasin.
Por në udhëheqjen e Ukrainës pak ka ndryshuar. Një pjesë e ekipit të presidentit Volodymyr Zelensky është larguar mes akuzave për korrupsion. Ndërkohë lideri ukrainas ka qenë gjithnjë e më shumë nën presion për të mbajtur zgjedhje, të cilat nuk janë zhvilluar që nga viti 2019 për shkak të luftës.
Në muajt e parë të pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë, sfida dhe imazhi i tij si njeri i zakonshëm i siguruan atij famë globale dhe mbështetje dërrmuese në vend. Por ky unitet, i rraskapitur nga katër vjet luftë në shkallë të plotë, i ka lënë vendin një atmosfere më komplekse.
Tani, ndërsa shumë ukrainas ende e mbështesin Zelensky si një figurë ndërkombëtare, shqetësimet rreth qeverisjes dhe korrupsionit po e riformësojnë pozicionin e tij në vend.
Pas katër vitesh luftë, edhe vetë kontinenti i vjetër ka ndryshuar. Roli i Europës, në tokës e së cilës po zhvillohet lufta, ka qenë dytësor sidomos pasi Donald Trump filloi mandatin e tij të dytë.
Të lënë jashtë tryezës së negociatave, europianët janë përpjekur herë pas here të hartojnë planet e tyre për fundin e luftës dhe t’i sigurojnë mbështetje Kievit.
Ursula von der Leyen, presidentja e krahut ekzekutiv të bllokut, vizitoi Ukrainën për herë të 10 që nga fillimi i luftës. Ajo premtoi mbështetje të palëkundur dhe theksoi se Bashkimi Europian nuk do të tërhiqet, por uniteti brenda bllokut është i lëkundur.
Hungaria dhe Sllovakia po bllokojnë paktën e sanksioneve ndaj Rusisë dhe paktën e financimit të Kievit, pasi Ukraina bllokoi rrjedhën e gazit ndaj këtyre dy vendeve.
Pa para dhe me me shumë pak armë, shpresa e vetme e Ukrainës të paktën për të ardhmen afatshkurtër, është ardhja e pranverës, pas një dimri të ftohtë jo vetëm diplomatikisht, por edhe në qytetet e vendit, ku sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike, kanë qindra mijëra njerëz pa drita e pa ngrohje në mes të acarit ukrainas.


