Eksperti i sigurisë Redion Qirjazi deklaroi në emisionin War Report se shifra prej 500 mijë të vrarësh në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës është e besueshme dhe përputhet me raportimet që vijnë nga pala ukrainase.
Sipas tij, që nga nisja e konfliktit, Ukraina nuk ka pasur epërsi ushtarake në terren, por ka arritur të kompensojë këtë disavantazh përmes avancimit teknologjik, veçanërisht në përdorimin e dronëve kamikazë. Qirjazi theksoi se këto mjete kanë shkaktuar dëme të mëdha në ushtrinë ruse, jo vetëm në humbje njerëzore, por edhe në kapjen e ushtarëve rob.
Ai nënvizoi se inteligjenca e avancuar, zhvillimi i teknologjisë dhe mbështetja ushtarake nga vendet europiane kanë ndikuar ndjeshëm në forcimin e pozitave të Ukrainës në luftë.
“500 mijë të vrarë mendoj që është një shifër që përputhet, jo vetëm në ato që raporton Ukraina. Që në fillim të këtij konflikti Ukraina nuk ka pasur një epërsi të konfliktit. Ukraina ka raportuar një mijë ushtarë brenda ditës.
Ukraina ka arritur që të bëjë përparësi në teknologjinë e dronëve. Këto dronë që janë praktikisht kamikazë, kanë shkaktuar dëme të jashtëzakonshme jo vetëm duke vrarë, por edhe duk kapur rob në ushtrinë ruse. Avancimi i teknologjisë dhe inteligjenca e përparuar, por edhe transferimi i një sasie të madhe ushtare të Europës drejt Ukrainës, të gjitha këto kanë bërë që Ukraina të fitojë këtë epërsi”, tha Qirjazi.


