Sondazh

Protestat e Sali Berishës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Wizz Air zgjeron rrjetin nga Tirana për verën 2026 me destinacione të reja dhe kapacitet të shtuar

schedule14:35 - 23 Shkurt, 2026

schedule 14:35 - 23 Shkurt, 2026

Wizz Air, linja ajrore udhëheqëse në Shqipëri, vijon të forcojë praninë e saj në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës përmes një zgjerimi të rëndësishëm të operacioneve për sezonin Verë 2026, i mbështetur nga alokimi i një avioni shtesë në bazë.

Si pjesë e programit të Verës 2026, Wizz Air po zgjeron rrjetin e saj nga Tirana me shtatë linja ndërkombëtare të reja, duke përmirësuar ndjeshëm lidhjet ajrore të Shqipërisë me destinacione kyçe turistike dhe urbane në Europë. Linja Tiranë – Bratislava do të nisë më 16 mars 2026 me tre fluturime në javë, ndërsa Tiranë – Santander do të fillojë më 29 mars 2026 me dy fluturime javore. Fluturimet Tiranë – Catania do të operojnë çdo ditë duke nisur nga 4 maji 2026, duke forcuar më tej lidhjet me Italinë gjatë gjithë sezonit veror.



Gjatë muajit qershor 2026, rrjeti do të zgjerohet edhe më tej me hapjen e linjës Tiranë – Palma de Mallorca, e cila do të operojë dy herë në javë duke nisur nga 23 qershori, si dhe me linjën Tiranë – Alghero, që do të fillojë më 24 qershor 2026 me dy fluturime javore. Po ashtu, Tiranë – Tallinn do të nisë më 22 qershor 2026 me tre fluturime në javë, ndërsa Tiranë – Warsaw Radom do të fillojë më 25 qershor 2026 me dy fluturime javore.

Paralelisht me hapjen e këtyre linjave të reja, Wizz Air do të rrisë kapacitetin operacional gjatë pikut të verës 2026 përmes alokimit të avionit të 15-të në bazën e Tiranës. Ky zhvillim do të mundësojë më shumë vende të disponueshme, organizim më të lehtë operacional dhe një shërbim më të mirë si për udhëtarët shqiptarë, ashtu edhe për turistët që vizitojnë vendin gjatë sezonit veror.

Në total, për sezonin Verë 2026, Wizz Air do të ofrojë 5.6 milionë vende dy-drejtimëshe, të mbështetura nga operacionet me 15 avionë të bazuar në Tiranë gjatë pikut veror. Midis mesit të qershorit dhe mesit të shtatorit, kombinimi i linjave të reja dhe rritjes së kapacitetit do të sjellë 120,000 vende shtesë dy-drejtimëshe, duke forcuar më tej lidhjen e Shqipërisë me tregjet kryesore europiane dhe duke mbështetur zhvillimin e turizmit.

Vera Jardan, Menaxhere e Komunikimeve Korporative në Wizz Air u shpreh: “Zgjerimi i rrjetit tonë nga Tirana për Verën 2026 reflekton angazhimin afatgjatë të Wizz Air ndaj tregut shqiptar. Duke ofruar destinacione të reja me frekuenca të qëndrueshme, ne po u krijojmë pasagjerëve më shumë mundësi për të udhëtuar në Europë, ndërkohë që mbështesim rritjen e turizmit dhe forcimin e lidhjeve ajrore të Shqipërisë me qytete kryesore europiane. Let`s WIZZ! ”

 Manjola Kaso, Drejtoreshë e Zhvillimit të Aviacionit dhe Marketingut në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, u shpreh: “Ky zgjerim forcon më tej partneritetin strategjik mes Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës dhe Wizz Air. Rrugët e reja dhe rritja e kapacitetit për vitin 2026 pasqyrojnë kërkesën e qëndrueshme për lidhje ajrore nga Shqipëria dhe interesin në rritje të kompanive evropiane për tregun tonë. 

Investimi i vazhdueshëm i Wizz Air mbështet diversifikimin e rrjeteve, lidhjen gjatë gjithë vitit dhe rritjen afatgjatë të trafikut, duke forcuar lidhjet e Shqipërisë me destinacione kyçe evropiane.”

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!