Është fatkeqësi që e mbylli pikërisht tani. Jasir Asani po kalonte formën më të mirë që pas transferimit në Iran, dhe largimi nga Liga e Dytë e Kampionëve të Azisë ishte dëshpërues, edhe pse shqiptari u tregua një hero I madh.
Futbollisti I kombëtares realizoi dy gola për ekipin e tij, Esteglal, ndonëse në fund erdhi eliminimi në Jordani, në fushën e kundërshtarit Al Husein.
Rezultati ishte 3-2 për vendasit dhe Asani ishte padyshim më i miri në fushë duke shënuar të dyja rrjetat për iranianët. Fillimisht, shkëlqeu me penalltinë e tij me stilin “Panenka” që nuk e lë kurrë në baltë.
Pastaj e shkruajti emrin në tabelën e shënuesve me një nga gjuajtjet e tij emblematike me të majtën nga jashtë zone.
Ylli kuqezi ka 4 gola në Championsin e dytë aziatik këtë edicion, si dhe ka shërbyer një asist në 8 ndeshje, ndonëse nuk e arriti dot nivelin kur ishte në Kuangju në Kore të Jugut, kur në Championsin kryesor arriti në 9 rrjeta në vetëm 10 ndeshje duke fituar Këpucën e Argjendit. Gjithashtu, Asani ka 7 gola në kampionatin iranian, ku Esteglali është pretendent për titull.


