TIRANË– Të mërkurën më 18 shkurt do të mbahet në Tiranë Ministeriali për Korridorin 8, ku fokusi do të vendoset te avancimi i projektit si një pikë strategjike për ndërlidhjen europiane.
Në kuadër të këtij aktiviteti që synon thellimin e bashkëpunimit rajonal, do të zhvillohet edhe Forumi Ekonomik i Nivelit të Lartë mbi potencialin ekonomik të zhvillimit të korridorit 8.
Eventi do të bëjë bashkë përfaqësues të qeverive, institucioneve europiane dhe aktorë të tjerë kryesorë ekonomikë për të diskutuar për projekte konkrete zhvillimore.
Eksperti për turizmin, Isa Krasniqi, i ftuar në “Money Report” u shpreh se këto evenimente ndikojnë në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë dhe e prezantojnë turistin e huaj me potencialet që ofron vendi.
“Përfitime direkte ka akomodimi, restorantet dhe transporti. I gjithë sektori që punon në turizëm fiton dhe imazhi i Shqipërisë ngrihet sa më lart në arenën ndërkombëtare. Shqipëria kthehet në trend shumë shpejt, për shkak të aksesit që turistët kanë. Përfitojmë nga këto evenimente. “, tha ai
Duke u ndalur tek shkrimet e mediave të huaja për potencialet e Shqipërisë, eksperti tha se është bërë punë e shkëlqyer në promovimin e turizmit, si nga sektori publik ashtu dhe nga privati.
Ai theksoi se harta e vendeve prej nga vijnë turistët po zgjerohet çdo vit e më shumë, ndërsa shtoi se po vihet re një rritje e net qëndrimeve në strukturat akomoduese. Eksperti tha se fokusi duhet të vihet në turizmin gjithëvjetor, si një potencial që e disponon vendi ynë dhe kjo pastaj do ndikojë në të ardhura shtesë.
“Shqipëria do vazhdojë të jetë trend për atë që ofron, është bërë një punë e mirë në promovimin e Shqipërisë. Ka qenë promovim i gërshetuar qoftë nga shteti, qoftë nga privati. Ne na kërkohet si operatorë turistikë që të japim shërbimin e mirë që të kemi një reagim pozitiv, që turistët ta vizitojnë vendin qoftë për herë të dytë apo të tretë. Po rritet turizmi gjithëvjetor.
Rezervimet për turizmin veror kanë nisur më herët nga tregu i Evropës. Ka rritje të interesit edhe nga Lindja e Mesme. Ne presim këtë vit turistë nga vend të ndryshe, të cilat nuk kanë eksploruar ende potencialet tona. Evropa është tregu kryesor. Italia është numër një, pastaj pasohet nga Gjermani dhe Franca. Tendenca sa i takon shtimit të netëve në akomodim, padyshim që ka qenë më e lartë”, tha ai./abcnews.al


